Në kuadër të projektit “Move Safe+: Forcimi i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane në Evropën Juglindore, Lindore dhe Azinë Qendrore”, Komuna e Vushtrrisë, në bashkëpunim me UN-Habitat Kosova, organizoi sot punëtorinë e parë njëditore për hartimin e Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për qytetin.

Në hapje të punëtorisë, kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, theksoi rëndësinë e këtij procesi gjithëpërfshirës, që synon ta bëjë Vushtrrinë një qytet më të qasshëm, më të sigurt dhe më të gjelbër për të gjithë qytetarët. “Përmes Planit të Mobilitetit synojmë ndërtimin e një lëvizshmërie të qëndrueshme në Vushtrri, pra ta bëjmë lëvizjen në qytetin tonë më të lehtë, më të sigurt dhe me një ambient tërësisht të gjelbër”, deklaroi Idrizi.




Në punëtori morën pjesë përfaqësues nga UN-Habitat, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Instituti Kombëtar i Planifikimit Hapësinor, Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës, Policia, Bashkësia Islame, HANDIKOS Vushtrri, operatorë transporti, autoshkolla, organizata joqeveritare lokale dhe palë të tjera të interesit.

Ky aktivitet shënon hapin e parë drejt zhvillimit të një sistemi të qëndrueshëm urban për qytetin, i cili synon përmirësimin e cilësisë së lëvizshmërisë, sigurisë dhe ambientit për qytetarët e Vushtrrisë. /Telegrafi/