Site icon Telegrafi

Vuçiq thotë se çështja e Kosovës është më e vështirë se në kohën e Qosiqit dhe Gjingjiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se propozimi i tij për çështjen e Kosovës vjen në një kohë kur “situata në Kosovës është dhjetë herë më e vështirë” sesa në kohën e Dobrica Qosiqit (ish president i Jugosllavisë 1992-1993) dhe Zoran Gjingjiqit (ish kryeministri serb i vrarë në vitin 2003).

Ai dhe se Qosiq dhe Gjingjiq kishin “shumë më tepër në duart e tyre” por se ata ishin të arsyeshëm dhe e kuptuan atë që po ndodhte duke “ofruar diçka” edhe pse në ato momente kanë pasur edhe zgjidhje më të mira.

“Në kohën e Qosiqit ne kishim kontrollin policor dhe ushtarak në Kosovë, në kohën e Gjingjiqit nuk e kemi pasur deklaratën e pavarësisë dhe as vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk kemi pasur kufijt në Jarinjë dhe Bërnjak”, ka thënë Vuçiq për televizionin serb “Prva”.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, tha se në thelb dialogu me përfaqësuesit e Prishtinës është “më larg se kurrë me parë”, përcjell REL. Ai shfaqi frikën se as në një të ardhme të afërt nuk do të ketë vazhdim të dialogut.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, por edhe Shtetet e Bashkuara janë duke i bërë presion Prishtinës dhe Beogradit që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese ndërmjet dy vendeve.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se iu mbetet palëve në dialog të vendosin modalitetet e marrëveshjes.

Mirëpo, dialogu në Bruksel është ndërprerë për shkak të Beogradi nuk dëshiron vazhdimin e tij përderisa autoritetet në Prishtinë nuk e heqin tarifën prej 100 përqind për mallrat serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po e kundërshton heqjen e saj derisa Serbia ta njohë pavarsinë e Kosovës.

Tash e sa muaj Beogradi dhe Prishtina po akuzojnë njëra tjetrën se po kushtëzojnë vazhdimin e dialogut.

SHBA-ja dhe BE-ja po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që së paku të pezullojë tarifën për një periudhë 120 ditor në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut.

Partneri i koalicionit qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës po e përkrahë këtë ide mirëpo kundërshtuesi më i madh i saj mbetet kryeministri ,Ramush Haradinaj, që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Exit mobile version