Vrasja në Prizren, pamje nga vendi i ngjarjes

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Prizrenit, ku një person ka therur për vdekje vajzën e tij 15 vjeçare, ndërsa ka lënduar gruan dhe vajzën tjetër.
Gazetari i Telegrafit në Prizren, Fisnik Minci sjell pamje nga vendi ku ka ndodhur kjo ngjarje tragjike, gjersa policia ende ndodhet aty.
Lajmin tragjik në Prizren e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi ka bërë të ditur se sot më datë 06.05.25 rreth orës 05:57 policia përmes telefonit ka marrë informatën se në rrugën “Shote Galica” në Prizren ndodhet një person i lënduar dhe se emergjenca mjekësore nuk po mund t’i jep ndihmë ngase një i dyshuar ndodhet me thikë ne dorë.
"Në atë drejtim janë nisur katër patrulla policore. Në vend ngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G. viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend të ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë”, theksoi ai.
Bytyqi shtoi se i dyshuari ka lënduar veten dhe se ai tashmë gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit. /Telegrafi/





















































