Site icon Telegrafi

Vrasja e Avdyl Ypit, “njeriut më inteligjent të Shqipërisë”

Nga: Roland Qafoku

Kishte kohë që bashkë me të tjerët Avdyl Ypi po përgatiste mbajtjen e Kongresit të Lushnjës, por vetëm gjashtë ditë përpara fillimit së tij një dorë e zezë ia ndërpreu në mes dëshirën e pjesëmarrjes, por edhe jetën.

Mbrëmjen e të enjtes së 15 janarit të vitit 1920, plumbat e dala nga pistoleta e Sulejman Merlikës e shtrinë të vdekur në tokë, duke e bërë dëshmor të këtij kongresi – njëra nga ngjarjet politike më të rëndësishme për fatet e Shqipërisë. E kishte cilësuar qeverinë e Durrësit si të shitur te Italia dhe kjo frazë solli krimin e rëndë, për faktin se këto fjalë i kishte shprehur në prezencën e Mustafa Krujës, ministër i kësaj qeverie. Ishte kjo koha kur rivaliteti politik në Shqipëri kishte vetëm një mënyrë për ta zgjidhur: me vrasje.

SKENA E KRIMIT

Avdyl Ypi mbërriti në orën 18.30 të 15 janarit 1920 në shkollën e Durrësit për të biseduar, sipas kërkesës që kishte marrë nga mbështetësit e Mustafa Krujës, pa i shkuar fare në mend se ky ishte një kurth. Sapo u afrua te dera e shkollës, dalloi inspektorin e arsimit dhe gazetarin e njohur Sali Xhuka, që po rregullonte derën. Në fakt, Xhuka ishte pjesë e planit të vrasjes dhe prezenca e tij aty ishte thjesht për të lajmëruar vrasësin që Abdyli ishte afruar.

Papritur, Xhuka hapi derën dhe nga ajo doli menjëherë Sulejman Merlika me armë në dorë duke e qëlluar Avdyl Ypin me pistoletë. Ypi vdiq në vend në një skenë pabesie të pistë.

SI U REALIZUA VRASJA?

Nuk ka asnjë nismë politike që të lidhet me fatet e Shqipërisë, në të cilën që politikanët ose njerëzit me mbështetje në popull të kenë qenë aq ekstremisht kundër njëri-tjetrit, deri në përplasje me armë, sa në mbajtjen e Kongresit të Lushnjës.

Nga njëra anë qëndronin kongresistët që e mbështesin këtë nismë kombëtare dhe emrat e tyre janë futur në histori si rithemeluesit e shtetit shqiptar.

Në anën tjetër qëndronin proteksionistët që e kundërshtonin ashpër këtë duke përdorur edhe armët. Tre përfaqësuesit e proteksionistëve ishin Myfid Libohova që përdorte influencën e vet për të penguar delegatët e Jugut për të shkuar në Lushnjë. I dyti ishte Mustafa Kruja që po ndalonte Krujën dhe Shqipërinë e Veriut për të marrë pjesë, dhe i treti Fejzi Alizoti që koordinonte të dy palët në Durrës.

Një komitet i fshehtë, i ngritur ato kohë në qytetin bregdetar të Durrësit, vendosi ta vrasë Avdyl Ypin në një kohë kur delegatët ishin duke u mbledhur në Lushnjë. Qëllimi i kësaj vrasjeje ishte të trembte delegatët që të mos lëviznin nga vendet e tyre drejt Lushnjës dhe, nga ana tjetër, të dukej se u vra si esadist.

Por, për të kuptuar përse u zgjodh për t’u vrarë Avdyl Ypi mjafton të lexojmë raportin sekret të shërbimit të zbulimit të Admiralit të Marinës Ushtarake Angleze: “Abdyl Ypi është njeriu më inteligjent i Shqipërisë. Krahu i djathtë i Esad Toptanit dhe turkofil i zjarrtë. Ka ushqyer simpati për grekët dhe serbët, por tani është bërë partizan i flaktë i turqve. Urren gratë. Trim i madh.”

Gjithçka ka qenë e organizuar në një kurth në mënyrë që Ypin ta qëllonin në një moment që jo vetëm të mos kishte mundësi reagimi, por të mos kishte pranë as miq, shokë e bashkëpunëtorë. Për këtë organizatorët e ftuan në shkollën e vetme të Durrësit për të biseduar.

Politikani bashkëkohës Sejfi Vllamasi kujton: “Sali Xhuka bën manevra të ndërlikuara në hapjen e derës së shkollës dhe po në atë çast Ypi vritet nga Sul Mërlika.”

Por, duket se edhe në rastin e Avdyl Ypit për vrasësit kupa ishte mbushur edhe për një arsye tjetër. Trimëria e Avdyl Ypit ishte treguar edhe në sy të Mustafa Krujës, i cili nuk e kishte kapërcyer lehtë këtë cilësi kur bëhej fjalë që ishte sfidë kundër tij.

Vllamasi kujton fjalimin që mbajti Avdyli kundër Mustafa Krujës teksa qëndronte në krah të tij: “Në këtë vrasje ka edhe një dozë mërie personale, mbasi Abdyl Ypi, si prefekt i Durrësit, në një fjalë që ka mbajtur në këtë qytet, ku ka qenë prezent edhe Mustafa Kruja, ministër i qeverisë së Durrësit, ka sulmuar rëndë qeverinë dhe anëtarët e saj dhe me konferencat që u mbante fshatarëve në Durrës, Shijak e Tiranë, ishte bërë i rrezikshëm për atë qeveri.”

Vrasja realisht krijoi panik në masën e njerëzve, por edhe të politikanëve të asaj kohe. Fejzi Alizoti arriti deri aty sa në një telegram që ia dërgonte prefektit të Shkodrës, Rexhep Shalës, i kërkonte të merrte masa që delegatët e veriut të mos shkonin në Kongresin e Lushnjës, për shkak të situatës së krijuar, duke i transmetuar edhe frikë nga ngjarja: “Edhe Abdyl Ypi u vra.”

E, megjithatë, delegatët shkuan në Lushnjë duke shënuar emrin në historinë e kombit dhe të shtetformimit. Dhe nderi për Avdyl Ypin u bë që në hapje të kongresit: “Sot më 28 1.1920, ora më 2:00 pas dreke, mbas vendimit të dhanun në mbledhjen e I-rë, meqënëse u arrit shumica e delegatëve u çel kuvendi. Për nderimin e të ndjerit Abdyl bej Ypit, qi u asasinua mbi qëllim të ndalimit të mbajtjes së mbledhjes kombëtare, u vendos që t’i pushoji kuvendi punimet në këtë ditë, e ti shkruhet familjes së të ndyerit një letër ngushllimi nga ana e mbledhjes.”

FATI I KEQ I GAZETARËVE TË GAZETËS “POPULLI”

Sali Nivica kishte tre ditë që kishte ndërruar jetë pas atentatit në Shkodër, ndërsa kishin kaluar pesë vjet nga vrasja e Mustafa Qullit. Salih Gjuka ishte i vetmi nga tre themeluesit e gazetës

“Populli” që kishte mbetur i gjallë. Ishte anëtar i Komitetit të Fshehtë kundër Esad Pashë Toptanit dhe esadistëve, në të cilin kryetar ishte Mustafa Kruja. Sipas të dhënave, Salih Gjuka ishte inspektor arsimi, një veteran patriot nga Peja e Kosovës, por nëse e merr të mirëqenë Sejfi Vllamasin, ai e cilëson kriminel të lindur.

Salih Gjuka u akuzua si bashkëpunëtor në vrasjen e Avdyl Ypit dhe për këtë e dënuan me 10 vjet burg, nga të cilat bëri katër vjet. Megjithatë, ka edhe nga ata që e kundërshtojnë këtë variant duke deklaruar se Gjuka nuk ka pasur lidhje me ngjarjen. /Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme të historisë së shtetit shqiptar 1912-2017”/

Exit mobile version