Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga votimi me postë jashtë Kosovës, që i përkasin raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Deri të premten në orën 10:00, janë shqyrtuar mbi 9,800 pako, nga të cilat më shumë se 7,240 janë aprovuar, ndërsa rreth 2,570 janë refuzuar.


Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

"Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ", tha ai.

Elezi shtoi tutje se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosovë.

"Në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikojmë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve", theksoi ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është mbajtur më 9 nëntor. /Telegrafi/