Site icon Telegrafi

Viti 1982: Vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës

Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1982?

Më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë vriten vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka. Bardhoshi dhe Kadriu vdesin në vendin e ngjarjes, Jusufi më vonë.

Jusuf Gërvalla lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, Komuna e Deçanit. Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan. Kur kishte vetëm gjashtë vjet, i vdesë i ati. Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, te daja i tij në Pejë, për të mbaruar shkollimin. Pasojat e ndarjes nga familja dhe nga vendlindja përshkruhen me këto vargje: “E kam braktis vendlindjen / E kam braktis shtëpinë / Shkrepave tuaja të larta / Peng ua lashë fëmijërinë”. Apo: “Dhe kështu u prenë rini e rritë / Nëpër botë pastaj si njeri i vogël që jam / Me një det këngësh që më vlojnë në gji / U nisa, baba, në kullën dikur si zgurr / Ja kaq i vogël, po edhe burrë”.

Mediat gjermane për atentatin në Untergrupenbah

Pasi mbaron shkollën e mesme në Pejë, regjistron fakultetin në Prishtinë. Ndërkohë fillon të punojë në Teatrin e Kosovës, si pëshpëritës. Në këtë cilësi, më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit shkon në ndëshkimoren e Nishit për të shfaqur para të burgosurve dramën e njohur “Duke pritur Godonë”. Jusufi shfrytëzon rastin për t’u dërguar burgosurve politikë këtë mesazh: “Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen”. Mirëpo, me t’u kthyer kupton se letra kishte rënë në dorë të policisë. E marrin në pyetje, bëjnë presion mbi të dhe për pasojë e heqin nga puna. Më 1971 punësohet në Shkup, si përkthyes në “Flakën e vëllazërimit”. Më 1973 fillon të punojë në “Rilindje”, ku më 1978 bëhet redaktor i faqes për radion dhe televizionin. Ishte këngëtar me emër në estradën e Kosovës. Më 1975 botoi përmbledhjen e parë “Fluturojnë e bien”, më 1978 “Kanjushë e verdhë”, më 1979 “Shenjat e shenjta”. Ndërkaq, romanin e parë “Dy florinj të një dashurie” e shkroi më 1975, por nuk u botua. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë. Gjithashtu, pas vdekjes u botua edhe drama “Procesi”.

Më 14 dhjetor 1979, kur u bënë arrestimet e pjesëtarëve të LNÇKVShJ-së, kupton se e pret arrestimi dhe largohet nga Kosova. Me ndihmën e Bardhoshit, nëpërmes tunelit të Goricës kalon në Austri dhe pastaj në Gjermani, ku kërkon strehim politik. Më 17 janar 1980 tek ai shkon edhe familja e ngushtë: e shoqja Syzana dhe fëmijët Premtoni, Donika dhe Ergoni.

Në mërgim Jusufi merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”. Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (tre numra). Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i Kosovës” (dy numra).

Në verë të vitit 1980 bie në kontakt me një grup të organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materialet e organizatës dhe njëherësh disa qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë” dhe përmes tij formon Komitetin e LNÇKVShJ-së për Komunën e Deçanit.

Plagoset në atentatin e 17 janarit 1982 dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronit.

Kadri Zeka lindi më 25 prill 1953 në katundin Poliçkë, Malësia e Dardanës (Kamenicë). Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Meqë më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan, ku mbaron shkollën e mesme. Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Juridik të Prishtinës, Dega e Gazetarisë.

Më 1973 Kadri Zeka u takon radhëve të organizuara të “Grupit revolucionar”. Ishte në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi Ramadanin dhe Hydajet Hysenin.

Ka punuar si gazetar në Radio Prishtinë, ndërsa ka marrë pjesë në marrjen e një shaptilografi në Prishtinë. Gjatë vitit 1974 nga Zvicra (ku kishte shkuar me pasaportë të falsifikuar) sjell një shaptilograf tjetër më praktik, me të cilin janë shumëzuar traktet e shpërndara.

Më 15 prill 1978 rrëmbehet Hydajet Hyseni në mes të tregut të Prishtinës dhe dërgohet në Lipovicë (Blinajë), në shtëpinë e gjuetarëve dhe merret në pyetje nga funksionarët më të lartë të UDB-së së Kosovës. Të nesërmen e lirojnë, kinse për të reflektuar. Të vetëdijshëm për rrezikimin e drejtpërdrejtë, që të dy arratisen. Meqë kishte pasaportë, Kadri Zeka shkon në Zvicër, në qytetin Sent Gallen ku ndihmohet nga anëtarët e organizatës, ndërsa Hydajeti vazhdon të jetojë ilegalisht në Kosovë.

Në Zvicër Kadriu vë kontakt me organizatat shqiptare në mërgim. Krahas kësaj, përgatiti botimin dhe shkroi vetë shumë artikuj për gazetën “Liria”. Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u shpërndanë në Kosovë.

Bardhosh Gërvalla lindi më 1951, në Dubovik. Ishte tetëvjeçar kur me familje mërgon në Slloveni. Atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën sllovene. Pastaj u kthye në Kosovë dhe u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, ku studioi anglishten.

Gjatë kohës së studimeve këndoi e kompozoi këngë bashkë me të vëllain, Jusufin. Më 1974 shkoi në Gjermani, ku u punësua si punëtor social në Ludvigsburg. Aty pati rastin të takojë dhe të njohë shumë mërgimtarë nga Kosova. Me daljen e Jusufit jashtë, e vuri në kontakt me mediat dhe institucionet gjermane, i ndihmoi në sigurimin e mjeteve teknike për radhitjen dhe botimin e gazetave.

Ishte i mbrujtur me një kulturë të mirëfilltë perëndimore, gjë që i mundësonte të komunikojë me të huajt e të gjitha rangjeve. Disa herë rresht është përballur edhe fizikisht me konsujt jugosllavë, kur këta të fundit fotografonin demonstruesit ose përpiqeshin t’i pengojnë edhe me grushte aktivistët shqiptarë gjatë veprimtarisë së tyre.

Pas vetes la tre fëmijë.

Vetura BMW pas atentatit në Untergrupenbah

Lagjja, ku kanë banuar vëllezërit Gërvalla, ka qenë një lagje e qetë, e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë … Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë, ka pasur shumë garazhe, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla. Ndërkaq, në fillim të kthesës ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave nga aty vëzhgonin.

Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalë në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvalla, për ta bërë një telefonatë nga një kabinë e një fshati fqinj, ndoshta për të evituar përgjimin.

Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazh, kanë hipur në veturën të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazhi në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngjitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas, për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit. Këta të fundit kanë parë daljen e tyre, pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi, përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj. Sipas dëshmitarëve, ishin dy vrasës: njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba.

Një fqinj gjerman ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhoshin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur.

Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbroni.

Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3:00 të mëngjesit të datës 18 janar 1982, edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por, para se të vdesë, arriti t’i thotë policisë gjermane: “Neve na vrau UDB-a jugosllave”!

Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht, shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjët, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrje-dalje etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.

Pasi është analizuar dosja, është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve, eliminuesve të gjurmëve të mundshme etj. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat dhe telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi ishte që jo vetëm të fshihen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh mes përfaqësuesve të nëntokës etj.

Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës.

Pamje të publikuara nga mediat gjermane për atentatin në Untergrupenbah

Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative ka qenë e përqendruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan, Franjo Herleviq, me kombësi kroate. Me ardhjen e Dollancit, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB-ja fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.

Sipas shumë burimeve, atentatin në Untergrupenbah e ka kryer Zheljko Razhnjatoviqi, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit). Që i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime … Duke qenë në vuajtje të dënimit, ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakolare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga krimineli me renome ndërkombëtare, me insistimin personal të Stane Dollancit bëhet oficer me ndikim të fortë në shërbimet serbe. Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Lubo Zemunac. Këta të dy, një vit më vonë e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat, Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar me sëpatë.

Gazeta “Zëri i Kosovës”

“Der spiegel”, më 25 janar 1982, raporton si në vijim: “Pas kroatëve në ekzil, si duket, qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve në ekzil … Ishte shqetësuese ajo që kanë parë banuesit e komunës së Untergrupenbahut te Heilbroni: Vetura vazhdonte të uturinte, sepse shoferi e kishte këmbën ende në pedale të gazit. Pastaj, ai e lëshon si duket freksionin dhe vdes, kështu që vetura vazhdon të ecën derisa i mëshon një garazhi përballë. Vetura ndalet, motori fiket dhe mjedisi qetësohet. Policia ka gjetur në veturë: Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, jugosllav, i goditur nga gjashtë plumba, qëndronte i vdekur pas timonit; bashkudhëtarin e tij, Kadri Zekën, 28 vjeç, i vrarë nga dy goditje me plumba në trup, dhe vëllain e shoferit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba. Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt dihej edhe drejtimi i tyre politik: jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare, nga provinca e Kosovës, në jug të shtetit ballkanik dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autorët e vrasjes pati shënime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdesë, i kishte pëshpëritur policisë: ‘Ka qenë UDB-ja’ – policia sekrete jugosllave. Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibrit 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: ‘E tëra dukej si pas një ekzekutimi’. Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Shtutgarti, Siegfried Hübner – duhet qëlluar me katër plumba, ‘tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërta – e domosdoshme dhe vdekjeprurëse’. Edhe kjo flet për UDB-në. Që shumë vjet grinden shërbimi sekret jugosllav dhe kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme. Në shumë raste, jugosllavët në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë së tyre. Beogradi reagonte në krim dhe terror gjithmonë me të njëjtën mënyrë … Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional – dhe i lufton ato. Sidomos kroatëve që janë jashtë, vrasësit e shërbimit sekret ua kanë drejtuar pistoletat. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit … Krahas kroatëve, tashmë në shënjestër të shtetit jugosllav janë edhe shqiptarët. Që nga pranvera e fundit, kur shqiptarët rezistuan në provincën jugosllave në Kosovë, ku u bënë trazira të përgjakshme, Beogradi i ka zbuluar shkaktarët jashtë vendit … Gërvallajt kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai, Jusufi, i cili para pak kohe ia kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se ishte për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë, sipas njoftimeve të policisë, edhe redaktor i gazetës ‘Zëri i Kosovës’ në ekzil. Bardhosh Gërvalla kshte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëmarrësit jugosllavë, në Solitudestrashe 44, në Ludvigsburg … Koka politike e vëllezërve ka qenë, si duket, Jusuf Gërvalla. Sidomos ai fajësohej nga Konsullata e përgjithshme jugosllave të jetë anëtar udhëheqës i ‘Fronti të kuq’ që luftonte kundër qeverisë jugosllav”.

Bekim Fehmiu në rolin e Nikollë Kolë Bojaxhiut, babait të Anjezë Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, në filmin “La Voce” të vitit 1982.

Në vitin 1982, Bekim Fehmiu ftohet në Prishtinë të luajë rolin e Hamletit në një shfaqje të Teatrit të atëhershëm Popullor Krahinor, me regji të një anglezi. Por, për shkak të mosmarrëveshjeve me regjisorin, Fehmiu e braktis projektin. Rolin e Hamletit e luajti Dibran Tahiri.

Më 1982 përfundon filmi “La Voce”, që i kushtohej jetës së humanistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu (Nëna Tereze). Për këtë projekt, kah fundi i vitit 1979, RAI – ndërmarrja kombëtare e transmetimit publik e Italisë – iu drejtua “Chiara Film Studio”-s në lidhje me prodhimin e një filmi për vitet e para të Nënës Tereze në Shkup. Projekti ishte ide e Gjon Kolndrekajt me origjinë shqiptare nga Kosova i cili në atë kohë ishte drejtor i programit në RAI. Kolndrekaj e njihte personalisht Nënë Terezen personalisht dhe ishte në kontakt me të nga 1977, por u këshillua me një numër studiuesish, klerikësh dhe artistësh nga Kosova, Maqedonia dhe më gjerë, të cilët e njihnin Nënë Terezen dhe familjen e saj në Shkup, ose ishin në kontakt me të gjatë kohës që projekti po merrte formë. Ai vizitoi një numër vendesh në Kosovë dhe në Maqedoni në nëntor dhe dhjetor 1979, për të identifikuar vendet për filmin. U ra dakord që xhirimet të fillonin në dhjetor 1980. Por, ekipi italian filloi xhirimet pa Kolndrekaj, në nëntor 1980. Arsyeja kryesore për këtë ishte marrëveshja tri studiot e filmit jugosllav: “Avala Film” në Serbi, “Jadran Film” në Kroaci dhe “Vardar Film” me bazë në Shkup. Marrëveshja erdhi me një numër kushtesh të cilat i pranoi producenti Oscar Brazzi. P. sh., në një skenë, Gonxhe e vogël xhirohet jo në kishë katolike, po në atë ortodokse. Devijimi i dytë i madh nga plani origjinal kishte të bënte me veshjet e personazheve. Anëtarët e familjes Bojaxhiu ishin veshur me kostume popullore serbe dhe sllavo-maqedonase. Ndryshimi i tretë lidhej me qëndrimin e Bojaxhiut ndaj çështjes kombëtare shqiptare. I pakënaqur me ndryshimet në skenarin origjinal, Kolndrekaj informoi Brazzin dhe Rai Uno-n se ai nuk dëshironte më të shoqërohej me projektin. Ia përcolli shqetësimet e tij në lidhje me filmin, Nënës Tereze, që i tha të mos shqetësohej për këtë: “Zoti do të bëjë diçka, për këtë padrejtësi”. Kjo “embargo” u thye për herë të parë nga Rai Uno vetëm më 6 shtator 1997 në 3:40 të mëngjesit. Në atë kohë, Nëna Tereze kishte vdekur për rreth tetë orë.

Prishtina më 1982

Më 1981 dhe 1982, disa punëtorë shqiptarë të Trepçës qenë akuzuar për vjedhje të sasive të mëdha të arit dhe të argjendit, dhe ky ishte preteksti i largimit të shumë inxhinierëve dhe teknikëve shqiptarë nga puna. Nga ky moment, nga viti 1981 deri në 1989 Beogradi e ka monopolizuar eksportin e xeheve të Trepçës, në Rusi dhe gjetiu, duke i shkëmbyer përfitimet në monedhë të fortë dhe prodhime të naftës, përderisa kosovarëve u është kompensuar vetëm me rrymë elektrike dhe forma të ndryshme të pagesave. Për shkak të inflacionit të madh në vitet 1980, kjo skemë e diskriminimit është thelluar.

Shkalla e shtimit natyror të popullsisë së Kosovës në vitin 1982 ishte 25.6 për qind. Shtimi natyror i popullsisë së Kosovës në dekadën e nëntë të shekullit XX ishte për për një të tretën më i vogël sesa shtimi natyror në dekadën e tetë (mes viteve 1981-1990). Më 1982 nis propaganda serbe për shpërngulje nga Kosova. Në bazë të evidencës së bërë nga organet shtetërore të ish- Jugosllavisë për të shpërngulurit nga Kosova dhe për të ardhurit në Kosovë prej muajit nëntor të vitit 1982 e deri në muajin qershor të vitit 1986, nga Kosova ishin shpërngulur 16 958 serbë dhe 2 613 malazezë (gjithsej së bashku 19 571 persona), por në të njëjtën kohë në Kosovë kishin ardhur për të jetuar 9 682 serbë dhe 1.277 malazezë të tjerë ose të njëjtë (të cilët së bashku përbënin gjithsej 11 799 persona). Këto vlera tregojnë se diferenca shpërngulje-ardhje ka qenë 7 772 persona.

Trupat britanike, pas disfatës së Argjentinës në Luftën e Falklandit

Më 2 prill 1982 fillon Lufta e Falklandit midis Britanisë së Bashkuar dhe Argjentinës, për kontrollin e ishujve Falkland. Lufta shpërtheu pas pushtimit të ishullit nga Argjentina, duke i konsideruar ato pjesë të saj. Lufta përfundoi më 14 qershor 1982, me dorëzimin e ishujve nga Argjentina.

Më 25 prill 1982, Izraeli tërhiqet nga Gadishulli i Sinait, në përputhje me marrëveshjen e paqes me Egjiptin të vitit 1979. Ndërsa, më 6 qershor nis invadimi izraelit në Liban, që ishte përfshirë nga lufta civile. Lufta Civile e Libanit la mbi 120 mijë viktima, ndërsa një milion njerëz ikin nga vendi, duke e shkatërruar ekonominë e vendit. Problemi filloi më 1948, ku mbi 110 mijë refugjatë palestinezë ikin në Liban, që më vonë drejtojnë një si shtet brenda shteti në Bejrutin Perëndimor dhe në Libanin e Jugut. Në vitet 1970, filluan luftimet mes një koalicioni refugjatësh palestinezë dhe milicive myslimane dhe druze me forcat e rezistencës kryesisht të krishtera. Siria ndërhyri, duke dërguar trupat në Liban, të cilin nuk e njihte si shtet dhe donte ta përvetësonte (Siria e njeh Libanin më 2008). Izraeli ndërmori operacione pushtimi në vitin 1978 dhe përsëri në vitin 1982. Gjeneral Ariel Sharon ka kryesuar sulmin e vitit 1982 ndaj Libanit. Kryqi i Kuq vlerësoi se pushtimi mori jetët e rreth 18 mijë njerëzve, kryesisht civilë. Ndërkohë ndërhyjnë shtetet perëndimore. Yasser Arafati dhe rreth gjashtë mijë luftëtarë nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO), evakuohen nga Libani. Izraeli nga Libani largohet një vit më vonë.

Në vitin 1982, Saddami, me te dy bijtë, vizitoi frontin me iranianët. Me një çast, Saddami kërkoi vullnetarë për të sulmuar vijën e frontit. Udayi i marrë siç ishte, hipi në helikopter dhe nisi të gjuajë me armë. Për fat të keq të trupave irakiane, ai i gjuante ata e jo vijën e frontit të iranianëve.

Shkatërrimet në Bejrut, nga bombardimi izraelit

Më 1982, Helmut Kohl zëvendëson Helmut Schmidtin si kancelar i Gjermanisë. Kohl më vonë ia del ta realizojë ëndrrën e bashkimit të dy Gjermanive.

Në vitin 1982, Revista “Times” botoi në ballinë portretin e disidentit polak, Lech Walesa. Në një intervistë me autorin e këtij shkrimi, për këtë ballinë Walesa ka thënë: “Në këtë kohë, asnjëri nga burrat shtetërorë, asnjëri nga burrat e kurorëzuar shtetëror nuk besonte në regjimin e komunizmit. Të them më tepër mua më kanë trajtuar në mënyrë joserioze kur thosha atëherë se Bashkimi Sovjetik nuk do të zgjasë deri në fund të shekullit XX. Mungesa e shpresës në arritjen e këtij çasti nuk do ta lejonte arritjen e fitores”. Por, po më 1982 ndalohet lëvizja e Walesas, Solidariteti.

Më 1982 lindin aktorët Eddie Redmayne, Seth Rogen, Kirsten Dunst. Lindi edhe Princi William i Uellsit, trashëgimtar i fronit mbretëror britanik. Më 1982 vdesë aktori me origjinë shqiptare, John Belushi, kompozitori Carl Orff, aktorët tjerë Romy Schneider, Henry Fonda, Ingrid Bergman dhe Grace Kelly që ishte Princeshë e Monakos. /Telegrafi/

John Belushi dhe Dan Aykroyd
Exit mobile version