Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1920?
Viti 1920 është vit i rëndësishëm për shqiptarët. Këtë vit lindin emra të mëdhenj të artit, të kulturës dhe të arsimit shqiptar, si p. sh.: gjeografi, etnografi dhe shkrimtari Mark Krasniqi; historiani Kristo Frashëri; poeti, gjuhëtari dhe kritiku Arshi Pipa; aktorja Marie Logoreci; poeti dhe regjisori i teatrit, Zef Zorba; muzikologu dhe kompozitori Ramadan Sokoli; si dhe folkloristi, shkrimtari dhe profesori i letërsisë, Anton Çetta, i njohur më shumë si udhëheqës i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë. Fal angazhimit të tij, në fillim të viteve 1990, dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse zhduket në Kosovë. E, kur arrihet pajtimi, populli është i bashkuar dhe gati për… luftë!
Më 1920 lindin edhe komunistët shqiptarë, Qemal Stafa dhe Rita Marku. Kjo Rita ishte mashkull! Ndërkaq, më 1920 vdesë Zef Lush Marku që ishte anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave. Shqipëria ishte vendi më i keq komunist në Evropë, por duhet pranuar se komunistët e parë shqiptarë ishin nga Kosova.
Po më 1920 vdesë edhe kompozitori dhe dirigjenti Palokë Kurti.
Viti 1920 shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për historinë e shtetit shqiptar: Kongresi i Lushnjës që i zhvilloi punimet më 21-31 janar.
“Kongresi i Lushnjes do të kishte efektin e thellë të theksojë në aspiratat e kombit idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të vendit, duke u dhënë të kuptonin edhe të huajve, botës politike, se vendi punon pas parimeve të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat e tij pa qënë vegël e ndonjë pushteti të huaj. Mund të thuhet se që nga Lidhja e Prizrenit, ishte manifestimi i parë me një rëndësi fare të veçantë për këtë popull, e një punimi të bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij”, ka thënë për këtë Kongresi, intelektuali dhe patrioti Mit’hat Frashëri në veprën “Probleme të Shqipërisë indipendente”.
Kongresi i Lushnjës e miraton aktin kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, si dhe zgjedh këshillin e lartë prej katër vetash që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Kështu përmbyset Qeveria e Durrësit. Por, për të qenë të sigurt për këtë, porositet një atentati që do të jetë më i bujshmi në historinë e shqiptarëve: vrasja e Esat Pashë Toptanit nga Avni Rustemi, më 13 qershor në Paris – një atentat ky që ende krijon huti mes shqiptarëve.
Toptani ishte trim dhe e ka mbrojtur Shkodrën nga malazezët (rrethimi nisi më 8 tetor 1912, ndërsa zgjati deri tek dorëzimi kontrovers i qytetit, po nga Esat Pasha, më 25 prill 1913). Megjithatë, ishte edhe karrierist, dallkauk e i etshëm për pushtet. Pra, nuk është i shenjtë, por nuk mund të thuhet se ishte personifikim i djallit, siç e ka paraqitur sistemi komunist. Atë Zef Pllumi, te libri i parë “Rrno vetëm për me tregue” dhe te vepra “Siç thonim dje…” tregonte se, sipas arkivave të françeskanëve që kishte parë si i ri, Esat pashë Toptani e donte një Shqipëri etnike. Po sipas tij, Avni Rustemi ishte patriot naiv që nxitet nga Luigj Gurakuqi e Mehmet Konica për ta vrarë Esatin. Këshilla e tyre ishte që të shkonte në Paris dhe të kërkonte bursë për studimet. Esati e takon dhe pranon se do ta ndihmojë, meqë Shqipëria ka nevojë për njerëz të shkolluar. Kur Avniu refuzon ta kryejë atentatin, ia mbushin mendjen për “tradhtitë” e tij. Dhe, e vrau njeriun që e mirëpriti.
Intelektuali dhe njeriu që e dokumentoi më së miri historinë shqiptare të dekadave të para të shekullit XX, Eqrem bej Vlora, në vëllimin e dytë të librit të tij, “Kujtime”, ka shkruar: “Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet. Por, që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie (të Lushnjës – v.j.)”. Ndërsa, për Avni Rustemin ka thënë: “Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, që me këtë vrasje donte të bënte emër, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës. Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze… Drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë, pra kapardisej nëpër Tiranë si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”.
Avni Rustemi ishte majtist. Ishte hero për Ahmet Zogun, pastaj për Fan Nolin e, mbi të gjitha, për regjimin komunist të Enver Hoxhës. Të gjithë këta e projektuan një armik që nuk e do të mirën e shqiptarit (Esatin) dhe një hero që kërcënon se kundërshtarëve, atyre që mendojnë ndryshe, u jepet dënimi (Avniun). Por, rasti i Enver Hoxhës dëshmon se krahasimi me të keqen çon te një e keqe tjetër, më e madhe.
Kongresi i Lushnjës e bëri Tiranën kryeqytet të ri të Shqipërisë. Por, kryesorja, e ringjalli patriotizmin duke paralajmëruar se shqiptarët do ta mbrojnë Shqipërinë nga ndarjet tjera.
“Marrja në dorëzim e Shkodrës (25 mars 1920) qe i pari sukses politik, bashkë me të dhe një shënjë simpatie e dhënë prej Fuqive të Mëdha. Ishte dhe shkalla e parë për grupimin e copëve të ndryshme të mëmëdheut rreth një autoriteti të vetëm. Të marrët e Gjirokastrës (27 prill), të lëshuarit e Korçës prej francezëve (15 maj) dhe të bashkuarit e saj në një mënyrë paqësore, plotësoi edhe njëherë suksesin e qeverisë së re, shtoi besimin e saj dhe ngjalli akoma një herë vullnetin e kombit, i cili kurorëzoi veprën e nisur në Lushnje”, ka thënë Frashëri. “Të dy vitet, 1919 dhe 1920, brenda në Shqipëri dhe përpara Konferencës së Paqes, qenë një luftim i paprerë kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës, kundër copëtimit të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës kurorëzuan veprën patriotike duke proklamuar botërisht dhe me bujë vullnetin e kombit. Këto gjeste zgjidhën në një mënyrë definitive çështjen, duke siguruar triumfin e dy parimeve: indipendencën politike dhe integritetin tokësor. Pas atyre ngjarjeve, Konferenca e Paqes më nuk guxoi të vërë në bisedim cenimin e këtyre dy të drejtave. Por efekti më i madh i luftimeve do të ishte për psikologjinë e brendshme tè popullit, për dinjitetin dhe karakterin e tij. Më 1912 ishte shfaqur tek shqiptarët një besim i rrezikshëm dhe fort i dëmshëm, sipas së cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët, po e bëri Evropa. Ky mentalitet kishte për rezultat fatal një aparati, një mefshtësi dhe një moskujdesje. Meqenëse na bënë të huajt, atëherë ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë. Logjika, vërtetë një logjikë e shtrembër, e donte që, kush e bëri, kush u bë shkak të bëhet, ay le të përpiqet ta kërrejë në krye! Gjykim i vdekshëm që vret dhe shkatërron çdo përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920, Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe makar një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përpiqej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ekzerson një veprim, influencon gjithë jetën e tij. Është një kandil: ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keqe, në çdo kohë dhe në çdo rasje. Të mbajturit mend të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi si edhe një detyrë”.
Patriotizmi shqiptar dëshmohet me Luftën e Vlorës që ndryshe njihet si Lufta e Njëzetës. Kjo luftë nis më 4 qershor. Pas tre muajsh luftimesh, shqiptarët më 3 shtator futen në qytet, si fitimtarë. Luftës së Vlorës i dedikohet kënga-himn, “Vlora-Vlora”, me muzikë nga Thoma Nasi dhe me tekst të Ali Asllanit. Aty këndohen edhe këto vargje: “Vlora trime shqipëtare / si rob jetën s’e do fare / a do mbetet Shqipëri / a do bëhet tym e hi / Vlora, Vlora, Vlora, Vlora / rroki armët, bëja forra”. Pas Vlorës, italianët largohen edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.
Pos Vlorës, shqiptarët e udhëhequr nga Elez Isufi dhe Bajram Curri, më 13 gusht i sulmojnë forcat serbe të pozicionuara në zonën e Dibrës. Pas shumë luftimeve, serbët tërhiqen në nëntor të vitit 1921. Ndërsa, nën udhëheqje të Xhemal beg Bushatit, Sulço beg Bushatit e Maliq Sokolit, në atë që njihet si Lufta e Koplikut, më 27 korrik 1920 nis lufta kundër forcave serbe e malazeze që ishin futur në rrethinë të Shkodrës. Serbët tërhiqen në kufijtë e vitit 1913, më 14 shkurt 1921. Në Luftën e Dibrës dhe atë të Koplikut, rol të rëndësishëm kishte edhe Ahmet Zogu – armiku i ardhshëm i Elez Isufit, Bajram Currit e Xhemal beg Bushatit. E, Sulço do të punojë kundër Hasan Prishtinës.
Më 9 nëntor 1920, Konferenca e Ambasadorëve i njeh kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913, ndërsa më 17 nëntor Shqipëria bëhet anëtar i Lidhjes së Kombeve.
Në vitin 1920, me krijimin e Këshillit Kombëtar, apo të Parlamentit të parë të Shqipërisë, krijohen partitë e para politike. Më 10 tetor u formua Partia Popullore, ku shquheshin këto figura: Fan Noli, Ahmet Zogu, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri etj. Një muaj më vonë formohet Partia Përparimtare Shqiptare, ku dominonin këto figura: Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Shefqet Vërlaci dhe… Bajram Curri. Me këto dy parti nisin përçarjet që nuk kanë ende të ndalur në Shqipëri.
Ngjarjet që shënuan botën më 1920, janë: më 7 janar nis lufta civile në Rusi; më 10 janar, me Traktatin e Versajës, zyrtarisht merr fund Lufta e Parë Botërore. Por, ky traktat nuk ishte gjë tjetër se një fitil që do ta nisë një luftë tjetër më të madhe e më të tmerrshme – Luftën e Dytë Botërore. Më 17 janar nis Prohibicioni në ShBA; më 12-24 shkurt mbahet Konferenca e Londrës ku, Britania e Madhe, Franca dhe Italia takohen për të diskutuar ndarjen e Perandorisë Osmane; më 24 shkurt, Adolf Hitleri e prezanton programin nacional-socialist të Partisë së Punëtorëve Gjermanë, që më vonë do të njihet si Partia Naziste; më 10 mars, në mënyrë paqësore instalohet qeveria e parë socialdemokrate në Suedi; në prill përfundon pandemia e Gripit Spanjoll, e fundit para pandemisë së koronavirusit më 2020, që do të vrasë 17-50 milionë njerëz në botë; më 23 prill, Mustafa Kemal Ataturku e instalon në Ankara Asamblenë e Madhe Kombëtare, që shkarkon qeverinë e Sulltan Mehmedit VI i cili më 10 gusht nënshkruan Traktatin famëkeq të Sevrës për ndarje të Turqisë; më 5 shtator, Mahatma Ganndhi nis Lëvizjen e Mosbashkëpunimit që për qëllim kishte pavarësinë e Indisë; Gabriele D’Annunzio shpall Shtetin e Pavarur të Fiumes/Rijekës. D’Annunzio ka një histori interesante me Hasan Prishtinën. Më 1920, këta dy takohen. Prishtina kërkon armë dhe d’Annunzio – si kundërshtar i ekspansionizmit serb që ishte. Këto armë do të përdoreshin kundër forcave serbe, në Kosovë. Ai pranon t’i dërgojë ato, pa asnjë kompensim, për në portin e Shëngjinit. Por, këtu fillon lufta e Sulejman Pashë Delvinës dhe Ahmet Zogut “për ta mbrojtur Shqipërinë”. Sepse, sipas tyre, serbi do të sulmonte Kosovën, ndërsa e keqja për ta nuk është ky sulm po sulmi tjetër eventual ndaj territorit të pranuar si shtet shqiptar. Për ta shpëtuar veten në emër të “Shqipërisë”, angazhohet Sejfi Vllamasi që me mbi 20 mijë franga ar të paguajë shkodranët Sulço dhe Malo Bushati që ta ndalojnë, në çfarëdo mënyre, këtë “kontrabandë”. Siç mësojmë edhe nga vepra e Vllamasit (“Ballafaqime politike në Shqipëri”), ata ia dalin.
Më 11 nëntor, në Londër shpaloset cenotafi i Ushtarit të Panjohur. Më 1920, por data e saktë nuk dihet, në Kinshasë të Kongos regjistrohet rasti i parë me HIV/AIDS.
Në vitin 1920 lindën edhe: Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitet 1982-1991, Javier Perez de Cuéllar; regjisori i madh i filmit, Federico Fellini; mbreti Faruk i Egjiptit, sundimtari i fundit i dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës; aktorët Toshiro Mifune, Yul Brynner dhe Montgomery Clift; Papa Gjon Pali II; këngëtarja Peggy Lee; si dhe, shkrimtari i njohur i fantashkencës, Isaac Asimov. Ndërkaq, vdiqën: piktori i famshëm Amedeo Modigliani dhe argjendari Peter Carl Faberge, i njohur sidomos për të ashtuquajturat Vezët Faberge. /Telegrafi/