“Emrin e kam Emmanuel. E ndryshova në Man, ndërsa përsa i përket mbiemrit nuk ka ç’t’i duhet njeriu sesi e kam.” – Man Ray
Nga: Bledar Kurti
Emri i tij i vërtetë ishte Emmanuel Radnitzky por e ktheu në Man Ray (1890-1976). Lindi në Filadelfia të Amerikës dhe kishte një prejardhje ruso-hebraike. Përveçse shpiku emrin e vet, ky artist amerikan krijoi edhe imazhet më surreale te shekullit XX, si për shembull: një palë buzë gjigande që fluturojnë në një qiell të stuhishëm, të pikturuara mbi një kanavacë dy metra e gjysmë të gjatë; gozhda të vërteta që dalin prej anës së sheshtë të një hekuri për hekurosje; një fotografi e cila tregon faqen e një gruaje mbi të cilën shndrisin lot prej xhami, me sytë e saj të hedhur mënjanë në ekstazë, me qerpikët e saj të bëra plastike me bojë, etj. Por, vepra e tij më e njohur, e cila shpalos fytyrën magjike të artit, është Le Violon d’Ingres (Violina e Ingresit), kjo fotografi surrealiste e cila të mbetet e qartë dhe tunduese edhe gjatë errësirës së shkurtër të mbylljes së qepallave të syrit të çdo njeriu që e sheh atë.
Man Ray ishte një prej artistëve më origjinalë dhe novatorë të shekullit XX. U bë shumë i njohur si piktor, kinematograf, poet dhe instalacionist, por u bë i famshëm dhe u njoh më shumë nëpërmjet fotografisë dhe teknikave që përdori në fotot e tij. “Nëpërmjet fotografisë e shpreh veten më shpejt dhe më thjesht sesa nëpërmjet pikturës,” u shpreh ai.
Pasi merr me pagesë një fotograf për të fotografuar pikturat e veta (për arsye dokumentimi) dhe pasi mbeti i pakënaqur me rezultatin, Man Ray vendosi ta provonte vetë. Rezultatet ishin magjepsëse. Sipas fjalëve të Marcel Duchampit, “për Man Ray aparati ishte vetëm një instrument i thjeshtë në shërbim të mendjes.”
Kur Man Ray zbuloi këtë dashuri të re për fotografinë, e la disi mënjanë pikturën. Në vend që të sillte në shtëpi vajza të reja që t’i pikturonte, i ulte apo i poziciononte ato e më pas i fotografonte. Nuk fotografonte vetëm modele por edhe objekte, për shembull: në një rast ai mori një makinë qepëse, e mbuloi me një leckë prej leshi pastaj e lidhi fort me spango dhe e fotografoi. Ky imazh u quajt L’enigme d’Isidore Ducasse, një vepër misterioze që intrigon shikuesin dhe e bën të vrasë mendjen se çfarë ka nën atë leckë prej leshi.
Kur nisi të jetonte në Paris, Man Ray u kërkonte të fotografonte të ftuarit në festat e të pasurve. Nisi të njihej menjëherë si një mjeshtër portretesh. Në koleksionin e portreteve të tij nuk ka vetëm portrete femrash të bukura apo njerëzish të kamur, por edhe shkrimtarësh dhe artistësh të famshëm të asaj kohe si për shembull Ernest Hemingway, Pablo Picasso, Alberto Giacometti, Max Ernst, Andre Breton, Tristan Tzara, Joan Miro, James Joyce dhe shumë të tjerë.
La fenom – Integrimi i hijeve, Topa në një kavanoz prej qelqi, dhe Hija e llambës janë ndër veprat e tij të para. Kompozimi i këtyre fotove u krijua prej objekteve të gjetura në rrugë apo të blera tek tregu i mallrave të përdorura, pastaj të fotografuara me një stil dhe dimension të ri. Këto lloj veprash janë të bazuara mbi spontanitetin dhe reflektojnë jetën e përditshme të botës moderne. Fotografi të tilla shkojnë përtej një shkrepje të zakonshme të aparatit fotografik. Ato përmbajnë elemente kubizmi dhe janë një reflektim i Modernizmit Amerikan. Man Ray bëri në fotografi atë që William Carlos Williams apo E. E. Cummings bënë në letërsi; mori objekte të parëndësishme, tërësisht të rëndomta, nga jeta e përditshme, dhe i shndërroi në kryevepra.
Fotografitë e objekteve të gjetura simbolizojnë fitoren mbi kohën. Dikur ato objekte kishin qenë të vjetra ndërsa tani ata ishin kthyer në një formë të re artistike; dikur ato kishin qenë të papërfillura prej njerëzve, ndërsa tani ato do vareshin në muret e ndonjë ekspozite; ato edhe mund të zhdukeshin por imazhi i tyre do mbetej i fotografuar dhe admiruar përtej brezave për një kohë tejet të gjatë.
Fotot e bëra nga Man Ray gjatë viteve 1930 sollën një realitet të ri tek shikuesit. Për shembull, kombinimi i çuditshëm, por i thjeshtë i një molle dhe një vide, paraqet një lloj të ri fotografie, një lloj të ri arti, një harmoni të papërsëritshme midis hijes dhe dritës, një konflikt midis natyrës dhe industrializimit, një referencë seksuale e Kopshtit të Edenit, brutalizmi mbi pafajshmërinë, dhe një simbol i vetë aktit seksual.
“Çdo gjë mund të transformohet, deformohet, apo shuhet prej dritës”, u shpreh ai.
Man Ray e aranzhonte ndriçimin në mënyrë që negativi të merrte minimumin e kontrastit. Më vonë, e sistematizoi dhe e rafinoi më tej këtë metodë duke bërë printime nga negativi në letër të hollë fotografike, pastaj duke e rifotografuar në një letër me kontrast të lartë, pastaj e zhvillonte normalisht, duke e ndaluar procesin përpara se hijet të bëheshin gri. E thante sipërfaqen dhe e fshinte me pambuk të thatë, pastaj e nxirrte negativin në dritë për tre sekonda. Në fund, imazhi printohej në mënyrën e zakonshme. E përdori këtë teknikë të njohur si solarizim në fotografitë që i bëri zambakëve, duarve, vezëve, portreteve, nudove, etj. Duke përdorur këtë teknikë ai ishte në gjendje të theksonte butësisht konturet e trupit dhe paraqiste trupin femëror si një ikonë të bukurisë dhe dëshirës.
Teknika tjetër e rëndësishme e përdorur dhe e shpikur prej Man Ray ishte Reiografia. Një reiografi është një fotografi e bërë pa aparat fotografik. Nëse vendos një objekt direkt mbi një letër fotografike, e ekspozon ndaj dritës dhe pastaj e lan, arrihet një imazh i objekteve të bardha me një sfond krejt të zi, i cili në një farë mënyre i ngjason imazheve radioskopike. Man Ray e quajti këtë proces “të pikturosh me dritë.” Në disa reiografe Man Ray përdori sende të ndryshme, për shembull germa, çelësa, madje dhe një revolver pasi ai kaloi një periudhë të jetës gjatë së cilës bëri disa përpjekje për vetëvrasje.
Femrat luajtën një rol madhor në jetën dhe veprat e tij. Përdorimi i hijes së butë në fotografitë e tij i bënte femrat të dukeshin si perëndesha dhe qenie tejet sensuale.
Fotografia më e njohur dhe imazhi fotografik më i njohur në historinë e artit, e cila mund të konsiderohet si ikona e fotografisë surrealiste, por edhe shndërrimi i dybotshëm i një femre në ëndërr është Violina e Ingresit (1924).
Në këtë fotografi torsi i një femre është transformuar në një violinë. Trupi i saj është rrethuar me disa shkallë hijesh. Ky imazh është një iluzion optik që e bën shikuesin të bjerë në dashuri me këtë foto. Trupi i kësaj femre i lyer me bojë shpalos fuqinë që Man Ray kishte mbi të. Është gjithashtu edhe një homazh ndaj idhullit të tij, piktorit francez Jean Auguste Dominique Ingres.
Modelja në këtë fotografi është Kiki de Montparnasse, me emrin e vërtetë Alice Prin, një këngëtare kabaresh në Montparnasse të Parisit. Man Ray kishte gjetur te Kiki më shumë sesa një dashnore që e adhuronte plotësisht, ai kishte gjetur një modele që e frymëzonte shumë, dhe ajo do shfaqej në shumë fotografi të artistit.
Por nga të gjitha imazhet e fotografuara të Kikit nuk ka asnjë më erotike dhe më të fuqishme sesa Violina e Ingresit, në të cilën shpina e saj e butë dhe e zhveshur adhurohet me dy shenja ‘f’ gropash violine. Kjo fotografi është bazuar mbi pikturën e Ingreses, Baigneuse de Valpincon, por aty figura kryesore shikon nga e djathta ndërsa Kiki i Man Ray shikon nga e majta. Man Ray e adhuronte Ingresen, ndaj e shndërroi në violinë trupin e Kikit si homazh idhullit të tij. Ingres i kishte bërë vizitorët në studion e tij të uleshin dhe të dëgjonin violinën e tij teksa ai luante në mënyrë skandaloze, dhe nuk i lejonte të shikonin pikturat e tij të cilat ishin kryevepra.
Ingres dhe Man Ray kishin shumë gjëra të përbashkëta në artin e tyre. Piktori i thurte lavdi konkubinave, femrave bukuroshe të haremit, ndërsa edhe fotografi gjente kënaqësi të njëjtë në konturet e trupit. Të dy pëlqenin shumëllojshmërinë. Të dy admironin stilin oriental si edhe aspektet vizuale të Mesjetës. Që të dy iu referuan shumë periudhave të artit për ikonografinë e tyre dhe që të dy u kritikuan për këtë arsye. Të dy patën një shkollim të paktë por s’e lejuan artin e tyre të vuante prej këtij fakti; dhe që të dy mbetën viktima të vlerësimeve të kritikëve se imazhet e tyre ishin tepër enigmatike.
Violina e Ingresit është më tepër sesa një foto e një shpine femre. Shtesa e një efekti tjetër mbi një gjë reale, në këtë rast ‘f’-ja mbi trupin e femrës, e bën këtë foto një vepër klasike surrealiste. Është një homazh i drejtpërdrejtë, por edhe një shembull i shkëlqyer se si e shkuara e frymëzoi artistin të krijonte të tashmen, duke treguar si ai ishte një heretik pa e humbur besimin, një thyerës tradite por që s’e kishte harruar traditën.
Violina e Ingresit është më shumë sesa një fotografi. Përfaqëson dashurinë e Man Rayt për të dyja zhanret – fotografinë dhe pikturën. Në autobiografinë e tij, të titulluar “Autoportret” ai shkruan, “Unë fotografoja ashtu siç pikturoja, duke transformuar objektet siç i transformon një piktor, i idealizoja dhe i deformoja fotografitë e mia aq lirshëm sikur po përdorja një penel dhe jo aparat fotografik”.
Kjo foto është një lojë, me të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Man Ray luante me fotografinë. Ai luante me titullin, sepse Le Violon d’Ingres është një idiomë për fjalën hobi, ose argëtim. Ai luante me figurën e gruas por pa e degraduar atë, ai e ktheu atë në një objekt kënaqësie, një hobi, por duke ruajtur respektin për klasicizmin e formës femërore.
Thirrja e artit kumbon mbi veshin e ndërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm të çdo artisti, duke fshirë vijën ndarëse midis realitetit dhe ëndrrës, ndaj edhe Man Ray u shpreh se, “për mua nuk ka asnjë dallim midis ëndrrës dhe realitetit. Unë asnjëherë s’e kuptoj nëse ajo që bëj bëhet kur jam duke ëndërruar apo kur jam zgjuar”. Ndaj, si përgjigje e kësaj thirrje të artit ai eksploroi shumë zhanre dhe u bë pjesëtar i disa rrymave artistike. Arti i tij shpaloset i errët sikurse ishin edhe veprat e shumë shkrimtarëve modernistë të asaj kohe; është i lirë dhe erotik sikurse shkrimet e Markez de Sade; është surreal si në ëndrra. Në veprat e tij ka poezi, ka dritë që sundon mbi errësirën ashtu siç shpresa triumfoi mbi trishtimin e asaj dekade lufte.
Përmes kësaj fotografie Man Ray përfaqëson shpirtin e modernizmit. Ai vetë jetoi si një njeri i lirë dhe bëri një art të ri i cili theu rregullat e traditës dhe reflektoi artistikisht mbi zhvillimin industrial. Por edhe pse arti i tij ishte i ri dhe unik, Man Ray ishte pjesë e një grupimi. Ky grupim artistësh, apo kjo rrymë artistike quhej Dadaizëm.
Man Ray e kishte mbartur Dadaizmin përpara se kjo lëvizje të pushtonte më vonë Nju Jorkun për pak kohë por fuqishëm. Ndër instalacionet e tij të para ishin pasqyra që s’pasqyronin, butona që s’punonin kur shtypeshin, të cilat i paraprinë një ideje të re të lirisë artistike që si përfundim u bë pjesë e Dadaizmit. Nuk kishte limite në fantazitë e tij. Kishte një liri të shfrenuar artistike. Në një foto të titulluar Rrose selavy, Man Ray fotografoi artistin Marcel Duchamp të veshur si femër dhe me paruke, për të paraqitur “egon tjetër” femërore të tij. Kjo ishte një shpikje tipike Dadaiste: nëse femrat do shijonin më shumë liri (mashkullore), përse të mos t’i përkulje gjinitë nga të dyja krahët? Nëse thua me zë të lartë në frëngjisht ‘Rrose Selavy’, tingëllon si ‘Eros! C’est la vie’, që do të thotë ‘Dashuria! Kjo është jeta.’
“Përse? E kush do t’ia dijë? E kush s’do t’ia dijë? Dada ka vdekur. Apo është akoma gjallë? Nuk mund të ngjallim diçka që është e gjallë ashtu siç nuk mund të ngjallim diçka që është e vdekur.
A ka vdekur Dada?
A është akoma gjallë?
Dada është
Dadaizëm”
Pas (vdekjes së) Dadaizmit, Man Ray luajti një rol udhëheqës në rrymën Surrealiste. Temat e fotografive të tij surrealiste ishin të çuditshme, perverse, por tejet të fuqishme. Sigurisht, vendi ku ndodhnin këto gjëra ishte në ëndrra. Të frymëzuar nga zbulimi i Sigmund Freud mbi të pandërgjegjshmen, surrealistët u munduan të shndërrojnë gjërat e fshehta, si për shembull ëndrrat, dëshirat, fantazitë, vuajtjet dhe neurozat, në gjëra dhe eksperienca të zakonshme. Violina e Ingresit ka mbetur në historinë e artit si imazhi më surrealist dhe dadaist, si edhe ngrirja në kohë e një figure të dybotshme në kalimin e saj nga realiteti në ëndërr, por edhe anasjelltas.
Në vitin 1999, revista ARTnews e titulloi Man Ray një ndër 25 artistët më me ndikim të shekullit të 20-të. Dhe çdo kritik arti e pranon se Violina e Ingresit, kjo fotografi me përmasa fizike vetëm 28.2 me 22 centimetra ka përmasa magjie dhe të një ëndrre të pafund. Puthja e reales me surrealen ndodh vetëm përmes artit, dhe rezultati i këtij bashkimi krijon vepra të tilla të ëndërrta të cilat jo vetëm bashkëbisedojnë me të pandërgjegjshmen tonë, por shpalosnin edhe një prej fytyrave të tjera të artit, atë të së pakapshmes nga receptorët fizikë, por vetëm nga ato mendorë e ndijorë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Në ndriçim të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme