Në një ngjarje të rëndësishme për qytetin e Gjilanit, është vënë gurthemeli i Bulevardit të Qytetit, një projekt i përmasave historike me vlerë 18 milionë euro që pritet të transformojë qendrën urbane dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të ministrive dhe zyrtarë komunalë.


Kryetari Hyseni e cilësoi këtë si projektin më të madh kapital ndonjëherë në historinë e qytetit.

“Gjilani më në fund po merr pamjen që e meriton. Së bashku me Kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorë, nisëm ndërtimin e Bulevardit të Qytetit – një investim prej 18 milionë euro që do t’i japë qytetit tonë një dimension të ri urban”, deklaroi Hyseni.

Bulevardi i Qytetit do të ketë: Gjatësi prej 450 metrash, sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë hapësirë publike, 500 parkingje nëntokësore dhe ndërtimin e objektit të ri pesëkatësh të administratës komunale me rreth 8,700 m².

Po ashtu, nisën punimet për gjashtë rrugë të reja, me gjatësi totale prej rreth 8 km, me investim prej 3 milionë euro, si dhe ndërtimi i rrethrrotullimit të qarkores me rrugën e Prishtinës, me investim prej 330 mijë euro.

Kryeministri Kurti tha se ky projekt përfaqëson një transformim të vërtetë për qytetin.

“Ky është një nga projektet më të mëdha kapitale që ka parë ndonjëherë Gjilani. Bulevardi i ri, së bashku me dhjetëra investime të tjera, po e ndryshon për të mirë këtë qytet dhe po përmirëson përditshmërinë e qytetarëve”, u shpreh Kurti, duke shtuar se vetëm gjatë këtij mandati në Gjilan janë duke u realizuar projekte në vlerë mbi 73 milionë euro. /Telegrafi/