Dramaturgu Stefan Çapakliku analizon situatën ku gjendet arti sot në Shqipëri. Ndalet tek shembja e Teatrit Kombëtar, politikat e ministrisë së Kulturës në art, deri tek sfida që ka shteti për restaurimin e besimit të individëve. Sipas tij, e drejta për vendimmarrje u takon atyre që e jetojnë të sotmen me të nesërmen
Nëse bëhet fjalë për të mbrojtur kauza të drejta, si ajo e Teatrit Kombëtar, nuk ka rëndësi numri. Le të jenë ata 20 apo 30 vetë. E drejta, sipas Çapalikut, i takon pakicës, njerëzve vizionarë që nuk e jetojnë të sotmen pa të nesërme. Shqipëria, sipas dramaturgut dhe regjisorit të mirënjohur, është katandisur në një furrë të madhe buke, e gatshme për të ngrënë turpet e veta. Ngjarjet e fundit lidhur me dëmtimin e trashëgimisë kulturore, e konfirmojnë këtë. “Njerëzit kanë humbur besimin”, rrëfen Çapaliku në këtë intervistë për gazetën “Shekulli”, “edhe restaurimi i besimit të individit te shteti nuk është sfidë e tyre, por e shtetit”. “Shteti duhet të marrë masa në mënyrë që individi të mos e konsiderojë armik apo institucion, që e rren dhe e mashtron, por një aleat për të ardhmen dhe perspektivën e vet”, shton më tej ai. Çapaliku thekson, ndër të tjera, se politika nuk mund të sillet kurrsesi si pronare me pronën publike, pasi ajo na takon të gjithëve ne. Ai kritikon gjithashtu ashpër ministren e Kulturës për menaxhimin e buxhetit, mospërkrahjen e kritikës, pse jo me një revistë të posaçme dhe izolimin kulturor që, sipas tij, i ka bërë vendit tonë. “Teatrin e ka futur në bunker. I ka caktuar një bunker duke thënë: Këtu brenda bëni teatër për njëri-tjetrin”, shprehet regjisori.
Profesor, si e vlerësoni situatën që është krijuar këtë periudhë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar?
Unë mendoj, më së pari, se teatri duhet konsideruar nga të gjithë, politikanë dhe jopolitikanë, si një e mirë publike. Në momentin që të konsiderohet si një e mirë publike, duhet që të shoqërohet me një tufë aktesh ligjore që e mbrojnë si të tillë.
Që të shkohet tek ky koncept, pra tek “teatri si një e mirë publike”, duhet që të angazhohen i madh edhe i vogël, dhe veçanërisht sistemi shkollor, për t’ua bërë me dije njerëzve se ekziston një taksë, sado e vogël, që ata japin për kulturën, dhe që ajo duhet t’u kthehet mbrapsht nëpërmjet një institucioni, siç është teatri, ku ne mund të çojmë fëmijët tanë, të kontaktojnë me Shekspirin, Gëten, Molierin, Shilerin, Brehtin etj., pra me të gjithë ata njerëz që përbëjnë bazamentet, shtyllat e asaj që quhet kulturë humanistike.
Vë re me keqardhje se deri më sot nuk kemi një program të tillë, që t’ua bëjë me dije njerëzve, veçanërisht në kushtet kur shprehitë e leximit publik janë jashtëzakonisht të ulëta, se teatri mund ta realizojë një mision të tillë. Pra, teatri mund të bëhet një mediator midis nesh edhe veprave të autorëve të mëdhenj. Kështu, edhe ne bëhemi qytetarë më të mirë, bëhemi qytetarë më të ndershëm, bëhemi evropian. Ne nuk mundet që ta konsiderojmë veten pjesë integrale edhe reale të Evropës, nëse nuk kemi institucionet e kulturës. Apo, kur institucionet e kulturës nëpërkëmben, kontrollohen dhe përdoren politikisht, derisa edhe eliminohen.
Në këtë kuptim unë mendoj se nuk ka sens që ne të bisedojmë për Teatrin Kombëtar shqiptar, të bisedojmë për godinën, duke dhënë koncesione të cilat nuk na takon që t’i japim.
Përse nuk na takon që t’i japim?
Për shkak se ne, me këtë nënkuptoj të gjithë mandatorët e komunitetit teatror, nuk jemi pronarë, aq më pak politika nuk është pronare. Nëse fiton votat, si parti politike, kjo nuk do të thotë se bëhesh automatikisht pronar i një toke, që mund ta japësh, ta shesësh apo edhe ta falësh. Kjo do të ishte një skandal i vërtetë, një mediokritet i vërtetë, një verbëri totale, një maskarallëk. Partia që fiton votat është më së paku administratore e një hapësire publike, pronarë të së cilës jemi të gjithë ne. Pra, ky është problemi i parë që askush nuk duhet që të sillet si pronar me pronën publike.
E dyta është që ne kemi trashëguar një teatër i cili ka lindur në një kontekst të caktuar historik. Në kohën e Italisë, është krijuar një qendër multiart në qendrën e Tiranës, me qëllim për t’i edukuar njerëzit me shprehitë artistike, e cila ka rezultuar se nuk është një strukturë e përkohshme, siç është përfolur. Këtë e tregon fakti se vazhdon që të jetë në këmbë, të ketë aktivitet, pavarësisht se njerëzit që e kanë drejtuar nuk kanë treguar kurrfarë kujdesi, por e kanë keqtrajtuar me qëllim, duke filluar nga drejtori aktual i cili në mënyrën më të paskrupullt nuk ka vënë një furçë bojë apo një gisht gëlqere mbi teatrin.
Kjo tregon qartë se këta njerëz janë dashakeq të kësaj pune dhe duan që kjo hapësirë të shkatërrohet, t’u jepet disa grupeve, që ruajna Zot të kenë lidhje me artin dhe me teatrin, sepse kanë qëllime krejtësisht komerciale. Këtu flitet se sa dyqane do të ketë, por jo sa salla teatri.
Së treti, një moment tjetër i patolerueshëm është se si mundet që projekti i një ndërtese publike të shpallet duke mos qenë rezultat i ndonjë konkursi. Kjo është jashtë çdo koncepti demokratik. Si mundet që një objekt publik t’i delegohet një studioje, pavarësisht famës që ka. Unë jam krejtësisht i bindur, dhe për këtë kam referenca, se çdo studio arkitektonike në Evropë është e interesuar që të marrë pjesë në një konkurs që ka për qëllim ndërtimin e një Teatri Kombëtar. Teatrot kombëtarë ndërtohen kaq rrallëdhe është kaq atraktive për studiot e arkitekturës, sa që nuk do të linte indiferente asnjë prej tyre. Ata që quhen “yjet e arkitekturës” (Stararchitects) janë absolutisht të interesuar që të jenë pjesë e një konkursi të tillë. Shtoji kësaj edhe problematikat, që e ashtuquajtura projekt-ide u paraqit si plagjiaturë e studios ukrainase “Forma”, e bën këtë gjë skandaloze dhe krejtësisht të turpshme. Nëse diçka e tillë do të ndodhte në një vend perëndimor, do të kishin dhënë dorëheqjen të gjithë ata që e kanë organizuar një skifo të tillë.
Vetëm në Shqipëri turpi hahet me bukë. Vetëm Shqipëria prodhon aq bukë, sa për të ngrënë të gjithë turpet e botës. Ajo është një furrë e madhe buke e gatshme për të ngrënë turpet e veta.
Unë vazhdoj që të jem i mendimit se TK mund të restaurohet, të prishet edhe të rindërtohet nga fillimi, mundet që të bëhen çdo lloj adaptimesh arkitektonike, dhe të zbatohen alternativa që vijnë vetëm përmes konkursesh. Konkurset mundet që të na paraqesin ide nga më të ndryshmet, që ne nuk i kemi fare në fantazinë tonë, sepse ne nuk jemi arkitektë. Por, kjo s’do thotë kurrsesi që të cenohet territori që është i yni dhe nesër do të jetë i fëmijëve dhe i nipërve tanë. Po të dalim ne dhe të themi se: “Unë kam folur dhe thënë në media apo kudo, që le të jepet territori i qendrës së Tiranës, disa personave që kanë dëshirë të bëjnë pallate”, më e pakta, që mund të mendojnë nipërit e mi është: Kemi pasur një gjysh të çmendur!
Si i vlerësoni protestat apo takimet që organizojnë çdo të hënë artistët? Mendoni se nuk duhet të mungojnë në to njerëzit që janë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë situatë?
Kjo gjë është një problem shumë më i thellë, se sa i pjesëmarrjes apo i mospjesëmarrjes. Kjo gjë ka të bëjë me humbjen e besimit që njerëzit kanë te njëri-tjetri, te përfaqësuesit e tyre dhe te shteti. Që të restaurohet besimi i individit te shteti nuk është sfidë e individëve, por e shtetit. Shteti duhet që të marrë masa dhe të restaurojë besimin e vet me individin, në mënyrë që individi të mos e konsiderojë shtetin armik apo një institucion që e rren edhe e mashtron, por si një aleat apo partner në të ardhmen dhe perspektivën e vet. Kjo është situata. Në këtë derexhe ka arritur shoqëria shqiptare. Kujt t’i kërkojmë ne llogari? Individëve apo pikërisht atyre që kanë marrë votën e këtij populli dhe kanë treguar çdo ditë se nuk e kanë respektuar marrëveshjen për të cilën kanë ardhur në pushtet.
Në këto kushte edhe artistët janë njerëz që fatkeqësisht janë të lidhur për bukën e gojës dhe frekuentues të furrës së madhe të bukës, sikundër përmendëm më lart.
Por, kjo nuk do të thotë se kauza e tyre e atyre 20 apo 30 njerëzve, që dalin aty për të mbrojtur nuk është e drejtë. Përkundrazi, e drejta i takon pakicës, disa njerëzve vizionarë që kanë mundësi për të parë të nesërmen. U takon atyre njerëzve që nuk e jetojnë të sotmen pa të nesërme, por që e jetojnë të sotmen me të nesërme.
Po, sa u përket politikave mbështetëse për shfaqjet teatrore, që tashmë nuk po përzgjidhen vetëm nga TK, por edhe nga Ministria e Kulturës, çfarë mund të na thoni?
Ministria e Kulturës, asnjëherë, si e majta apo e djathta, nuk e kanë mbështetur botimin e një reviste për teatrin edhe artin. Do të ishte gjëja më e thjeshtë në botë, që ky institucion të kishte një buxhet më vete, për t’ia dhënë një grupi të rinjsh që të sillnin një panoramë të shfaqjeve dhe eventeve kulturore të Tiranës. Pse nuk e bën diçka të tillë dhe pse nuk nxit kritiken? Për këtë duhet që të pyetet ministrja e Kulturës. Cili është problemi i saj që nuk e mbështet një revistë kritike?
Nëse je ministër Kulture duhet që të kuptosh se një vend nuk mundet që të ekzistojë pa kritikë, nëse këtë nuk e di, kjo është një problematikë mendore e tij.
Ky është problemi: që të themelojmë një opinion kritik, që të mësojë spektatorët se kush është standardi në kulturë, cila është shfaqja më e mirë teatrore dhe cila jo.
Ne jetojmë në një vend ku ministria e Kulturës e thërrmon buxhetin në mënyrë të tillë që të ketë një hiperprodhim me pak lekë, me produksione të varfra që ndahen mes njerëzve të cilët nuk punojnë për bukën e gojës, por për ujin e ditës.
Spektatori nuk arrin që të kuptojë se cili është standardi. Zonja në fjalë ka mbyllur të gjitha festivalet ndërkombëtare të teatrit, duke e izoluar Shqipërinë kulturalisht. Teatrin shqiptar e ka izoluar dhe e ka futur në karantinë, në bunker. I ka caktuar një bunker, duke thënë: Këtu brenda bëni teatër për njëri-tjetrin.
Ju gjithashtu keni pasur mundësinë që të vini shfaqje teatrore edhe në rrethe, si Shkodër, Elbasan etj. Çfarë mund të na thoni për situatën atje?
Padyshim që gjendja në rrethe është shumë herë më e mjerë sesa në Tiranë. Është më e mjerë, për shkak se teatrot janë në varësi të bashkive edhe unë mendoj se kjo gjende duhet që të korrigjohet menjëherë. Një pjesë e teatrove që, për shkak të historisë së vet, kanë treguar se munden që të kultivojnë denjësisht teatrin, duhet që të rikthehen në teatro shtetërorë, pavarësisht se gjenden në Shkodër, Korçë, Elbasan etj. Pra, duhet që të pesëfishohen buxhetet, se kështu pesëfishohet edhe numri i spektatorëve, duke e rikthyer teatrin atje ku nisëm diskutimin tonë – në të mirë publike. Kjo është edhe arsyeja përse vendoset një ministër Kulture. Një ministër Kulture është shërbëtor i komunitetit kulturor, asgjë më tjetër sesa shërbëtor.
Ndërsa, ministrja e Kulturës ende nuk ka shpjeguar se në çfarë situate gjendet realisht arti, apo çfarë do të bëhet me godinën e Teatrit Kombëtar…
Ajo, duhet ta shpenzojë ditën e vet të punës duke takuar artistët, duke shkuar nëpër studio edhe në nëpër shtëpitë e tyre të vobekta, duke i pyetur se me çfarë po merren, për çfarë kanë nevojë apo si mundet që t’ju ndihmojë. Përkundrazi, ajo rri brenda në bunkerin e vet. Çfarë të presësh më prej saj?! Është mjerim i madh, sepse ajo nuk e kupton se historia ka për t’u tallur me mandatin e saj.
A keni një mendim tuajin se si mundet që të ndryshohet kjo amulli ku është zhytur arti shqiptar?
Unë mendoj se dy janë rrugët. Është mbështetja e trupave, skenave dhe galerive të pavarura, pra heqja dorë e shtetit nga kontrolli. Edhe së dyti është dialogimi me botën, me Evropën. Ne duhet të dimë se nëse mbështetim një projekt me dhjetë lekë, atëherë ai projekt duhet që të ketë pesë lekë për produksionin dhe pesë lekë për distribucion. Përndryshe, ne do të mbesim një kopsht në një oborr në një cep të Evropës që flet me vete. I parë nga jashtë, një njeri që flet me vete është budalla. /Valeria Dedaj/Shekulli/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
IKJA E KOLOSIT (poezi të zgjedhura të Dritëro Agollit)
KOSOVË
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë