LAJMI I FUNDIT:

Veseli optimist: Javën e ardhshme ratifikohet demarkacioni

Veseli optimist: Javën e ardhshme ratifikohet demarkacioni

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se që nga nesër do të fillojë takimet me përfaqësuesit politikë, për të rikonfirmuar konsensusin rreth demarkacionit.

Ai ka thënë për RTK se nuk duhet të ketë më vonesa, por sa më shpejt duhet të ketë seancë ku do të miratohet demarkacioni.

“Që nga dita e hënë do të filloj takimet intensive me kolegët e partive të tjera në mënyrë që, gjatë javës së ardhshme ta kemi në seancë të Kuvendit, ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Jemi vonuar mjaft, nuk kemi nevojë të vonohemi akoma. Tani kemi arritur një konsensus”, ka thënë Veseli.


Ai ka thënë se pret që edhe Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë demarkacionin.

“Është interesi i qytetarëve të Kosovës, besoj tek pjekuria politike e subjekteve dhe së bashku do ta kalojmë edhe një situatë të keqkuptimit. Ajo që është më kryesore dhe që shkon si mesazh është ky:  jemi vonuar mjaft, nuk është në interesin e qytetarëve të vonohemi më tej”, është shprehur Veseli gjatë një vizite në Prizren. /Telegrafi/