LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Nuk ka forcë të ndalojë shqiptarët të jetojnë në veri

Veseli: Nuk ka forcë të ndalojë shqiptarët të jetojnë në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka takuar sot qytetarë, simpatizantë dhe struktura të PDK-së të Mitrovicës.

Veseli tha se Partia Demokratike e Kosovës gëzon mbështetje të vazhdueshme të mitrovicasve, ndërsa premtoi zhvillim në ekonomi dhe në shumë fusha tjera.

Sipas tij, është e dhimbshme që gjatë tre viteve të fundit asnjë shtëpi nga Fondi “Ndihmo edhe ti” të mos ndërtohet në veri, ndërsa banorët shqiptarë të vazhdojnë të jetojnë akoma me qira dhe nëpër vende të ndryshme të Kosovës.


Duke folur për Fillimin e Ri, Veseli bëri të ditur se ky koncept nënkupton transformim të fuqishëm ekonomik dhe sfera tjera. Ai ka porositur kolegët e tij politikanë të mos flasin, por të punojnë, sepse tani është koha e veprave.

“Më 11 qershor Mitrovica ka me punu fort për fitoren e Fillimit të Ri, andaj urime dhe suksese. Mitrovica jonë sikurse gjithë Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, për fabrika, për një Trepçë të fuqishme ekonomike, për vende të reja pune. Mitrovica jonë ka më së shumti nevojë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe një Fillim të Ri. Ajo çka nënkupton Fillimi i Ri është një transformim i fuqishëm ekonomik i Kosovës sonë të dashur, një fuqizim i ndërmarrësve tonë. Kjo është kategoria e parë që do të ndihmohet me fillimin e Fillimit të Ri, të fuqizohen bizneset tona. Ne kemi aktualisht 60 mijë biznese në Republikën e Kosovës, imagjinoni t’u ndihmojmë të gjitha këtyre bizneseve me politika lehtësuese, vetëm nga një të punësuar në qoftë se ju ndihmojmë këtyre bizneseve, ato janë 60 mijë vende të reja pune. Do të dyfishojmë buxhetin e Republikës së Kosovës për bujqësinë dhe fermerët tanë”, tha Veseli.

Ai kçrkoi fuqizimin e grave në Republikën e Kosovës, dhënia e të drejtave të barabarta, po ashtu fuqizimin e rinisë, siç tha do të marrin të gjitha masat, në mënyrë që të krijojnë perspektivë të rinisë, që të qëndrojnë në vendin e tyre.

“Një rini e fuqishme akademike, e cila nuk merr diplomë vetëm për të krijuar një vend pune, por krijon vende të lira pune. Ky është obligimi i rinisë sonë, 200 milionë euro nga familjarët tonë dalin çdo vit jashtë Kosovës tek doktorët e huaj, në vend që ato para t’i bartim tek doktorët tonë në Republikën e Kosovës. Këtë do ta bëjmë, do të përkrahim doktorët tonë. Do të rrisim pensionet për pensionistët, në të njëjtën kohë do të largojmë barrën e tyre në blerjen e barërave, në rehabilitimin e gjendjes së tyre shëndetësore dhe në transportin publik. Personat me aftësi të veçanta nuk kanë nevojë për lëmoshë, por për përkujdesjen tonë, respektin dhe duhet t’u japim përgjegjësi. Ata mund të jenë po aq të vyeshëm sa ne”.

“Nuk ka forcë, nuk ka fuqi e cila do të ndalojë qytetarët për të jetuar në pjesën veriore, ky është shtet i pavarur dhe sovran. Do të respektojmë çdo qytetar të Republikës sonë pa dallim etnie, por është e dhembshme sot që edhe pas tre viteve që kur e ka lënë mandatin në qeverisje lokale PDK-ja, “Ndihmo edhe Ti” të mos shpenzohet për ndërtimin e shtëpive veriore. Asnjë shtëpi nuk është ndërtuar që nga viti 2014, kjo është e pafalshme. Nuk duhet fjalë, duhet vepra. Do të dërgoj një mesazh për kolegët e mi të politikës, folni më pak e punoni më shumë për Trepçën, dhe mos vononi që tre ditët e fundit të marrim vendim për Trepçën. Minatorët nuk kanë nevojë për lëmoshë, por ne kemi nevojë për minatorët. Trepça do të ketë perspektivë për aq sa do të kenë edhe minierat tjera gjithandej Kosovës. Ne do të vazhdojmë me investime në qytetin tonë, dikur më industrial dhe më urban në Republikën e Koso vës. Do ta bëjmë këtë po ua jap fjalën. A mundet ta udhëheqë Mitrovicën një koncept, i cili krejt çka sheh, djegë, krejt zi. Zi ia ka nis, zi ka me mbet. Urrejtja nuk është për popullin tonë”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, kryetari i degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati potencoi se qyteti i Mitrovicës duke qenë më specifik nga qytetet tjera, kërkon mbështetje akoma më shumë nga institucionet qendrore.

Ai ka falënderuar kryetarin Veseli për ndihmën e vazhdueshme për qytetarët dhe qytetin e Mitrovicës, sidomos në aprovimin e Ligjit për Trepçën.

“Mitrovica kryetar është gati. Ne kemi kontaktuar çdo nëndegë, secila nëndegë ju kërkon dhe secila prej tyre tregon respektin më të madh për punën e juaj. Të gjitha kërkesat e parashtruara nga qytetarët, janë kërkesa të cilat ju i keni përfshirë në Fillimin e Ri, prandaj ju falënderoj për marrjen parasysh të të gjitha kërkesave të qytetarëve të Mitrovicës”, tha Kastrati.

Ai shtoi se Mitrovica është qytet shumë specifik, prandaj ajo kërkon mbështetje të të gjitha aktiviteteve në të mirë të qytetarëve.

“Në rend të parë shfrytëzoj rastin të ju falënderoj që keni ndërmarr aktivitetin rreth aprovimit të Ligjit për Trepçën, për arsye se Mitrovica është shumë e lidhur me Kombinatin Trepça. Kërkesa tjetër është se në pjesën veriore ka ende shtëpi, të cilat nuk janë të meremetuara, janë rreth 428 banesa të uzurpuara, andaj qytetarët presin që me përkrahjen tuaj të realizohet e drejta e tyre për kthim në pronat e tyre”, theksoi Kastrati, raporton KosovaPress.