LAJMI I FUNDIT:

Vëmendja në kategorinë e pestë

Vëmendja në kategorinë e pestë

Kampionati i Kosovës në automobilizëm ka hyrë në fazën përfundimtare.

Pas pjesëmarrjes në Buzet, garuesit tanë do t’u kthehen shtigjeve vendore. Në këtë fundjavë, në Zym, do të zhvillohet gara e radhës (e shtata) në disiplinën malore, që njëherësh është e parafundit në këtë diciplinë, ndërsa do të zhvillohet edhe një garë në Grashticë, transmeton KosovaPress.

Për këtë fundjavë, vëmendja është përqendruar në kategorinë e pestë, ku Liridon Kalenderi dhe i AK Prizreni D&G dhe Valdet Krasniqi i Prishtina PRT janë duke zhvilluar “betejë të ashpër” për pozitën e parë në renditjen përfundimtare të këtij kampionati.

Gjithsesi që rivalitet pritet edhe në kategoritë tjera, por që deri diku është më e lehtë të parashikohen fituesit. Gara zhvillohet në aksin rrugor për në fshatin Zym, ndërsa gjatësia e shtegut është 3.000 metra, përcjell KosovaPress.


Si zakonisht në garat malore, të shtunën në program është stërvitja, derisa të dielën me fillim në orën 12:00 nis gara zyrtare.

Federata e Auto Sportit e Kosovës dhe AK Prizreni D&G i kanë bërë të gjitha përgatitjet me synimin që edhe kjo garë të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Aktiviteti i radhës i FASK-ut do të jetë spektakli që pritet të ndodhë në kryeqytet, në Rrugën B, më 18 tetor.