Erjon Boba, 15 vjeçari i cili mbeti i plagosur nga goditja me thikë disa ditë më parë në qytetin e Durrësit ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në reanimacionin e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.

15-vjeçari ishte shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, pasi u trajtua fillimisht në spitalin e Durrësit pas plagëve që kishte marrë në trup si pasojë e goditjeve me thikë, gjë të cilat i kanë prekur organet jetësore ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve përgjatë këtyre ditëve, Erjon Boba ka ndërruar jetë.


Ndërkaq, më herët, Adem Babo, i ati i 15 vjeçarit ka treguar se deri në atë moment gjendja e djalit të tij ishte kritike.

Gjendja e djalit është mjaft kritike. Ai po lufton me infeksionin e mushkërisë po ashtu edhe ato të trurit. Është akoma në intubim. Gjendja e tij është mjaft e rëndë. Nuk e di se çfarë apeli të bëj! Ka 10 ditë që po lufton për jetën, 4 ditë ka ndenjur në spitalin e Durrësit, pastaj për shkak të komplikacioneve e kanë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Djali ka pasur disa goditje në organet jetësore. Ka pasur goditje në stomak, ka pasur 2 goditje të vogla në zemër që kanë përshkuar zemrën. Ka pasur një goditje të thellë në këmbë. Por goditja më fatale që po na mundon më shumë sot sipas mjekëve është ajo e mushkërisë që ka marrë infeksion dhe që po e komplikon shumë gjendjen e tij. Mjekët po përpiqen maksimalisht ta trajtojnë mirëpo gjendja e tij është mjaft e rëndë”, theksoi Adem Babo/RTSH.