Vdekja e Emmy-t, 4 dëshmi të reja

Dëshmitë janë në dosjen që deklaroi fajtor biznesmenin dhe e dënoi me 1.4 vjet burg, duke pezulluar vuajtjen në qeli. Ky vendim është zbardhur ditën e djeshme nga Gjykata e Tiranës. Dëshmitë, që i përkasin mikeshave të këngëtares, citohen në vendimin e arsyetuar të gjyqtarit Arben Micko, i zbardhur pak ditë më parë. Në këto dëshmi, zbulohen detaje të marrëdhënies mes biznesmenit dhe këngëtares, si edhe arsyet e acarimit të marrëdhënieve mes tyre, që përfundoi tragjikisht në orët e para të 27 shkurtit të këtij viti në Tiranë, raportoi Panorama.
Elsina Hidersha u aksidentua nga automjeti i drejtuar nga Kelmendi. Ajo ishte kapur me duar te xhami i hapur i anës së shoferit, kur automjeti filloi të lëvizë. Pak sekonda më pas, për shkak të një frenimi të automjetit, ajo u përplas me tokën. Nga plagët e marra, ajo ndërroi jetë pak orë më vonë në spital. Dy javë më parë, Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor për ngjarjen të akuzuarin Azis Kelemndi dhe e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg. Në të njëjtin vendim, gjykata urdhëroi lirimin e biznesmenit, pasi dënimi i tij u pezullua me kusht që i pandehuri për pjesën e pavuajtur, prej 10 muaj e 7 ditë, të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale. /Telegrafi/




















































