Tensione në Kuvend, krahasimi i LVV me Listën Serbe shkakton reagimin e Golës

(E plotësuar) - Asnjë deputet e ministër i LVV-së në sallë, Çitaku: Është jo serioze në raport me qytetarët
Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debati parlamentar, por asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarë të kabinetit qeveritar nuk është prezent në sallë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se kjo është jo serioze në raport me qytetarët. Kësisoj, ajo duke iu drejtuar nënkryetarit të Kuvendit, Ardian Gola, i cili po e kryeson seancën, i ka thënë që të kontaktojë me bashkëpartiakët e tij nwse do të vijnë në seancë apo jo.
“A mundeni ju lutem të kontaktoni me përfaqësuesit e partisë suaj dhe të qeverisë që ta dimë se a do të jenë në seancë sot a jo. Është ekstremisht jo serioze, jo në raport me ne, por në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës që asnjë deputet, asnjë ministër, të mos jetë prezent në ditën kur po diskutojmë një temë që po i rëndon qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata ndoshta s’po dalin prej xhipave të zinj, nuk shkojnë nëpër super markete me ble ushqime vet, po qytetari i Kosovës është varfëruar, si është e mundur”, tha ajo.
Gola tha se nuk është detyrë e tij që të thërras shefen e grupit parlamentar të LVV-së.
“Nuk është kjo detyrë e imja, mund të komunikoni në vijën horizontale, shefin e Grupit Parlamentar e keni, kontaktoni shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së dhe merruni vesh. Nuk mendoj se kjo është ingirencë e jemja”, tha Gola.
Krahasimi i LVV me Listën Serbe shkakton reagimin e Golës
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola u ka reaguar deputetëve të opozitës, kur këta të fundit kanë thënë se janë Lëvizja Vetëvendosje e Lista Serbe që po mungojnë në sallën plenare gjatë debatit parlamentar për rritjen e çmimit të naftës.
Paraprakisht, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani tha se këto dy grupe parlamentare nuk janë të angazhuar për lehtësimin e jetës së qytetarëve.
“Sot çmimi i energjisë elektrike i atyre që po mungojnë këtu dallon prej dy grupeve. Mendoj që Lëvizjen Vetëvendosje e kanë votuar elektorati që jeton sikur shumica e Republikës së Kosovës që sot po paguajnë secilin çmim të secilit produkt më shtrenjtë, mirëpo elektorati i Listës Serbe në veri, edhe naftën, edhe energjinë e paguan shumëfish më lirë sesa secili qytetar. Andaj të dyja këto grupe parlamentare nuk janë sot këtu prezente, nuk janë për interesat e shumicës dhe nuk janë për t’i mbrojtur dhe angazhuar për t’ju lehtësuar jetën qytetarëve”, tha Rrahmani.
Më pas i ka reaguar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili po e kryeson seancën, duke thënë se nuk duhet të tërhiqen paralele të tilla.
Gjatë kohës sa ua ka tërhequr vërejtjen deputetëve të opozitës, këta të fundit e kanë kundërshtuar.
“Për përpjekjen që të tërheqni paralele ndërmjet mungesës së deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Listës Serbe për shkak se në këtë vazhdimësi të seancës janë duke munguar edhe deputetë të tjerë. Prandaj, çfarëdo përpjekje për të protetuar ndonjë mungesë të sinkronizuar ose ndonjë qëllim të përbashkët është e papranueshme, sepse asnjë deputet i asnjë prej grupeve parlamentare nuk mund të krahasohen me mungesat dhe qëllimet që kanë Lista Serbe”, ka thënë Gola.
Debati ka vazhduar më tej, ku Rrahmani i tha Golës se e “njeh shumë mirë për mosguxim”.
“I nderuar nënkryetar të njoh shumë mirë për mosguxim për mosdëshmim për tërë këto deklaratat që je duke i diskutuar këtu. Edhe e di që je duke e kryer një detyrë, ashtu qysh e ke kryer detyrën e financimit të ekspozitës në shesh, ashtu qysh keni financuar si pushtet financimin e librit për shpërndarjen në ambasadat e vendit tonë, një libër i organizatave të cilat ju i njihni shumë mirë, madje jashtëzakonisht mirë”, ka replikuar ai.Vazhdon debati parlamentar për rritjen e çmimit të naftës, LVV dhe ministrat mungojnë në sallë.
Vazhdon debati parlamentar për rritjen e çmimit të naftës, LVV dhe ministrat mungojnë në sallë
Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin parlamentar për rritjen e çmimit të naftës.
Pas pauzës, po mungojnë numër i madh i deputetëve, sidomos ata të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe ministrat.
Kjo seancë e jashtëzakonshme është ftuar nga partitë opozitare, ndërkaq rezoluta është prezantuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, përmes kësaj rezolute, ka kërkuar nga qeveria uljen e përkohshme të akcizës nga 36 cent në 20 cent në litër me afat të përkohshëm.
Po ashtu, është kërkuar edhe ulja e përkohshme e TVSh-së në karburante, por edhe që urgjentisht të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor.
Këto janë kundërshtuar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, ku ka pasur kundërshtime e replika mes pozitës e opozitës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kritikuar opozitën për propozimin që të ulet akciza përkohësisht, duke thënë se kjo shtetit ia ul të hyrat 10 milionë euro më pak.



















































