LAJMI I FUNDIT:

I vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi administratorit të grupit “Albkings”

I vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi administratorit të grupit “Albkings”

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, E.N, i cili dyshohet se ishte administrator i një grupi në Telegram, ku shpërndaheshin foto dhe video eksplicite të vajzave.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit E.N, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale me datë 12.07.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N iu është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muaj”, tha ajo.


Ndryshe, para disa muajsh, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte mbajtur konferencë për media lidhur me rastin e njohur në opinion si “Albkings”.

Prokuroria kishte njoftuar se deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej të cilëve janë administratorë të këtij grupi.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari E.N ka shpërndarë të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre.

Prokuroria Themelore në Prishtinë po ashtu u ka bërë apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, që të bashkëpunojnë me organet e rendit, që të ndihmojnë në arrestimin e të dyshuarve. /Telegrafi/