Gazmend Çitaku
Viti 2018 është shpallur Viti i Skënderbeut. Të gjitha trojet shqiptare me ceremoni të ndryshme shënojnë këtë vit në kujtim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Po si të shënohet e të mos bëjmë diç të ngjashme me atë që kanë bërë të tjerët? Çfarë të bëjmë që të sjellim diçka të re që e kemi para syve e nuk e shohim?
Po, pra, një vizitë varrit të motrës së Skënderbeut. Është kaq afër, po shumë larg nga të gjithë. Studiuesit shqiptarë çdo ditë shkruajnë e përshkruajnë ato që dikush tjetër veç ia ka thënë, të paktë janë ata që marrin iniciativë e të bëjnë hulumtime nëpër arkiva e edhe më pak të atillë që ndërmarrin iniciativa vizitash vendeve ku kanë lënë gjurmë njerëzit tanë. Kureshtja ime për motrën e Skënderbeut, konkretisht Marën ishte i kahershëm.
Lindi që atëherë kur si informatë e mora nga fillimi për Skënderbeun. Për një kohë të gjatë u harrua, risillet sërish nga informata e marrë se varri i saj gjendet në një manastir që gjendet diku në ishujt e Liqenit të Shkodrës.
Po ku ishte ky vend? Natyrshëm lindte pyetja. Heshtje. Në verën e vitit 2008 në Ulqin erdhën Moikom Zeqo dhe vëllai i tij Fredi. Ndenjëm së bashku ne të tre dhe Naim Flamuri, me çast diskutuam për gjëra të ndryshme e një nga to ishte edhe mundësia e shkuarjes në ishullin Kom, në vendin ku prehej Mara motra e Skënderbeut dhe gruaja e Stefan Crnojeviqit, mbretit të Zetës.
Prapë u zgjua kjo kureshtje, ramë dakord që të nesërmen në mëngjes të nisemi për në vendin e caktuar. Fredi ishte i gatshëm që me benzin e tij të na çonte në vendin e duhur. U ndamë. Unë nuk u zgjova herët. Ata shkuan pa mua. Me siguri ishte sinjal se nuk isha i gatshëm të shkoja në një vend të tillë. Pak ua kisha zili kur u takuam në mbrëmje dhe më tregonin për vendin, flisnin për pllakën që kishin parë, tregonin sesi Naimi ishte shtrirë përmbi pllakë që të përcjellë ngrohtësinë njerëzore në ftohtësinë e pllakës së gurit që kishte mbyllur Zonjën Marë në botën e përtejshme… Ah, sa ua kisha zili, por nuk u tregoja…
Ja, 10 vite më vonë nga kjo ngjarje, sot në vitin 2018, mu në 550-vjetorin kur shënojmë Vitin Jubilar të përkujtimit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar Skënderbeut: unë (Gazmend Çitaku) së bashku me vëllanë binjak të Naim Flamurit – Samiun dhe Gëzim Mavriqin (një ulqinak denbabaden), vendosëm që një të diel të shkojmë në ishullin Kom dhe të vizitojmë varrin e Mara Kastriotit – Crnojeviqit.
Kjo vjeshtë dhe dimër ishte me shumë lagështi, kështu që edhe niveli i Liqenit të Shkodrës ishte mjaft i lartë. Ramë dakord që diku në fund të prillit apo në fillim të majit të marrim rrugën dhe kjo ditë erdhi. Të shtunën, më 28 prill 2018, i bëra një telefonatë Samiut dhe e pyeta se nëse nuk kishte planifikuar ndonjë gjë do ishte mirë që të marrim rrugën e Zhabjakut të Crnojeviqëve dhe ishullin Kom. Konfirmimi i parë erdhi. Samiu ishte i lirë dhe atë ditë nuk kishte diç me rëndësi. Menjëherë kontaktuam edhe Gëzim Mavriqin, i cili ishte i gatshëm që të marrë aparatin e tij fotografike dhe të na përcillte, për fat të mirë edhe ai ishte i lirë. Kësisoj, duke u caktuar orën e nisjes (13:00) një prej shenjave nga mozaiku u plotësua.
Saktësisht në orën 13.00, morëm rrugën e Podgoricës. Samiu nxori telefonin ku përmes navigatorit dëshironte ta përcillte rrugën, mirëpo për një gjë të tillë unë i thash se nuk kemi nevojë pasi që rrugën deri ke Kalaja e Crnojeviqëve (Gjurazive), edhe pse nuk kisha qenë asnjëherë, e dija, por, prej aty e deri ke Manastiri ku prehej motër Mara (Kastrioti) duhej të pyesim popullsinë lokale dhe nëse kemi fat e të mos ketë ujë, do mund të shkonim këmbë. Rruga na u duk shumë e shkurtër pasi që gjatë tërë rrugës diskutonim tema të ndryshme nga jeta e përditshme dhe herë-herë jepnim ndonjë detaj për vendin ku ishim nisur. Më në fund dolëm nga rruga kryesore dhe u futëm në rrugën e ngushtë, por të asfaltuar.
Ja edhe tabela e parë që tregonte drejtimin e Kalasë së Crnojeviqëve. Nuk vonoi shumë dhe para nesh u shfaq vendbanimi. Një konglomerat banesash sa të reja e moderne aq edhe të vjetra e të lëna pasdore. Aty koha ishte ndalur. Majtas shihej një urë nga koha romake dhe unë që të bëhem pak i mençur i shpjegoj Gëzimit se në bazë të harqeve mundet lehtë të bëhet dallimi i urave nga periudha osmane ndaj atyre më të vjetra d.m.th. nga periudha romake ose bizantine. Dhe ura jonë në këtë rast ishte urë e ndërtuar diku në shekullin VII të e.s. Pasuan fotografitë dhe që të tre të vendosur për eksplorime të mëtejshme u nisëm në drejtim të Kalasë.
– Ku është rruga për me u ngjit në kala, pyeti Samiu një zonjë të vjetër.
Ajo filloi të na tregojë, por unë menjëherë ndërhyra duke pyetur se po që se nisemi këtyre shkallëve mes këtyre shtëpive të vjetra, a do të mund të mbërrijmë lart. Po tha ajo dhe ne vazhduam të gjarpërojmë nëpër labirintin e shtëpive të vjetra. Shpejt para nesh u shfaq një kishëz dhe e dinim se jemi afër hyrjes kryesore.
Samiu fascinohej me rrugën e ruajtur mirë blloqet kufizues të rrugës dhe kalldrëmin edhe pse e vjetër mbi gjashtë shekuj. Gëzimi bënte fotografi deri sa unë sikur në trans ngjitesha kalldrëmit të vjetër i cili gjarpëronte nëpër lartësi deri sa para nesh u shfaqën shkallët e ruajtura në mënyrë fenomenale. Po a ka fjalë të përshkruhej muri i kalasë? Shkallët që çonin drejt portës kryesore e që ishte një portë hyrëse e vogël e që me lehtësi kontrollohej nga kulla vrojtuese aty pranë. Çdo gjë ishte e përkryer. Disa foto para portës e pastaj u futëm në brendi. Një hapësirë, jo e madhe por ende lehtë mund të identifikoje të gjithë planimetrinë e saj. Nga të tri anët kalaja kishte mbrojtje perfekte natyrore që do të thotë se assesi nuk ka mundësi ta pushtosh nga ato anë vetëm nga hyrja kryesore e që edhe ajo ishte lehtë e kontrolluar nga kullat anësore. Lart u shpërndanë të tre dhe secili në mënyrën e vet bënte eksplorimin. Koha kalonte dhe vetvetiu rruga hapej, andaj filluam të zbresim rrugës nga kishim radhë.
Tani kishte ardhur koha që të nisemi në pelegrinazh drejt Manastirit në ishullin Kom, drejt vendit ku gjendej edhe varri i motrës së Skënderbeut, zonjës Marë. Pyetëm të parin, të dytin, të tretin askush nuk bëzante nuk na jepnin kurajo të shkonim atje. U ndalëm të pimë nga një kafe dhe të pushojmë pak. As në kafe nuk na jepte shpresë kamerierja. Kishte ujë aq sa për të mos shkuar me makinë ose këmbë e gjithashtu vende-vende kishte cektësira ku nuk mundje as me sul apo siç e quanin vendasit çun.
Na treguan se zakonisht në fund të gushtit, por edhe në fillim të shtatorit mund të shkosh me veturë. Sepse atëherë uji ishte tërhequr fare dhe toka ishte e shndërruar në kullosa. Me zemër të thyer u nisëm në drejtim të veturës duke bërë planet që të rikthehemi përsëri në shtator. Por, jo. Ne ishim nisur në pelegrinazh në varrin e zonjës Marë, motrës së Skënderbeut. Viti 2018 është shpallur viti i Skënderbeut, me aktivitete të ndryshme shënohej 550- vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Ne dëshironim ta shënojmë këtë datë më ndryshe nga të tjerët. Konstadini e Doruntina kalëronin qiellit dhe ne si nipa të Skënderbeut, duke marrë si shembull Konstadinin ishim nisur drejt hallës sonë Marë të çojmë në vend një amanet, ta kujtojmë motër Marën. Një lojë mistike filloi të luhet. Ora kishte kaluar 17.00, dielli filloi të tërhiqej nga perëndimi. Zonja Marë nipave të vet ua dërgon një njeri të kalojë atypari. Samiu nuk heziton ta pyes a di ndokënd që do ishte i gatshëm të na dërgonte deri në ishullin Kom. Ishte ky, siç mësuam më vonë, Mishko Tatari, vendas po që për çudi nuk kishte varkë e që rrugën nëpër liqe e njihte më mirë se xhepin e vet. Na tha të presim pesë minuta sapo të pyes një njeri aty afër. Çudia e dytë ishte gati të ndodhte. Pronari i sulit ishte një vendas i cili nuk jetonte aty, por që kishte mbërrit atë mëngjes dhe siç duket enkas për ne. Ishte ky Dragan Vukçeviqi i cili iu hodh punës për pastrimin dhe vendosjen e motorit në sul apo çun siç e quanin ata. Pas një gjysmë ore motori ndezi ne ishim gati për pelegrinazh.
U futëm në sul dhe u sistemuam asisoj që pesha të shpërndahej njëtrajtësisht. Mishkoja jepte sinjalet nga të shkonim u futëm në xhunglën e shkurreve dhe pyllit të Liqenit të Shkodrës. Rruga ishte një labirint që vetëm vendasit e njihni. Mishkoja pandërprerë jepte shenjë majtas, djathtas dhe kur rruga ishte pak më e pastër fillonte bisedën të na tregonte sa më shumë histori për këtë vend. Njihte mirë disa gjëra, kishte shumë shokë e miq edhe shqiptarë. Na tregonte për mbiemrat malazez që jetonin në Ulqin e që rrënjët i kishin nga fshati i tyre, por që me rastin e dorëzimit të Ulqinit, Kral Nikolla i kishte dërguar në Ulqin si kolonistë. Sa kalonte koha ne i afroheshim cakut. Para nesh filloj të dukej një kompleks banesash. Ata na shpjeguan se ajo që shihej ishte konaku, ndërsa pak më djathtas ishte Manastiri dhe vendi ku ishte e varrosur Stefan Crnojeviqi dhe Zonja Marë. Biseda u ndërpre. Dëgjohej vetëm cicërima e zogjve. Mishkoja u hodh nga suli në tokë dhe na dha instruksionet si të dalim një nga një.
Aty pranë ishte një djalë që pastronte anijen e Manastirit, dhe si për çudi iu hodh në qafë Samiut, athua se së bashku kishin ruajtur delet, konstatuam se e kishte ngatërruar Samiun me dikë, por tekefundit s’kishte gjë të keqe. U nisëm të ngjitemi ngadalë kodrës, Mishkoja e Dragani na prinin, Samiu pas tyre e unë e Gëzimi të fundit. Mbërritëm ke porta hyrëse e oborrit. Në të dy anët ishin ikonat e dy shenjtorëve, kurse pak më në të majtë tabela urdhëruese që ndalonte futjen e aparateve fotografikë, armëve dhe tabela për kodin e veshmbathjes.
U futëm në oborr, në të majtë ishte vendi për ku ishim nisur dhe ishte caku ynë. Të gjithë ishim në trans. Veçanërisht dy udhërrëfyesit tanë ishin të frikësuar. Murgun ose e kishte zërë gjumi ose ishte diçka shumë i zënë. Ai nuk bëhej i gjallë. I pari u futa unë. Nuk e di pse, por prisja ndonjë altar dhe shikoja majtas djathtas ku ndodheshin varret. Nuk i gjeja, vazhdova drejt, pa dashje lëkunda qiriun e ndezur që për fat mbeti në këmbë. Mishkoja na tregoj ku janë varret. Ja ku janë, tha ai janë në dysheme. Unë e Samiu, i cili ishte duke bërë xhirime online njëkohësisht, ulëm kokën dhe ç’të shikonim pllakat e gdhendura. Filloi paniku te udhërrëfyesit: ata kishin frikë murgun e ne nuk ua vinim veshin dhe shikonim që të bëjmë sa më shumë fotografi dhe xhirime. Ata insistonin të dilnim jashtë, por ne nuk dëgjonim. Në një moment Samiu u ul në gjunjë pranë pllakës së zonjës Marë. Unë e xhiroja dhe transmetoja në rrjete sociale për së gjalli gjithë çka ndodhte. Mishkoja na lutej të dilnim, se kishte frikë murgun mos po na hedh ndonjë mallkim. Samiu doli, unë vazhdova të eksploroj. Afresket brenda ishin mahnitëse.
Kërkoja ndonjë pllakë, por brenda ishte terr nuk mundja të identifikoja. Ndoshta do të kishte qenë më mirë sikur të shfaqej murgu, ndoshta ai do na tregonte diçka më shumë. Udhërrëfyesi përgjërohej të dilnim. E dëgjuam, dolëm vetëm atëherë, kur aparati im fotografik bllokoi dhe nuk donte të bënte fotografi. Kjo është shenjë tha Mishkoja që të mos bëjmë më foto. OK, i thashë po dalim. Dolëm jashtë dhe mendoj se pelegrinazhi në varrin e motrës së Skënderbeut në vitin e tij jubilar ishte më se i qëlluar dhe ia kishim arrit qëllimit. Murgu nuk bëhej i gjallë askund. Ne hymë e dolëm nga Manastiri dhe atë nuk e takuam. Hipëm në varkën tonë dhe filluam të kthehemi mbrapa. Dhamë fjalën se do të kthehemi prapë.
Miqtë e rinj na ftuan në një festë të zonës që festohej më 28 gusht dhe hapën barkun e zemrën. Mishko Tatari na doli se rrënjët i kishte nga Kastrati, kurse Dragani ishte koshient për rrënjët shqiptare. Çdo gjë frymonte shqip tashmë. Rruga ishte hapur, tani dukej se varka ecte vetë dhe nuk kishte nevojë për sinjalistikën majtas-djathtas. Ata dy garonim, kush do të tregonte diçka më të veçantë. Në një moment motori ndaloi. Hasëm në cekëtinë. Po kush lodhte mendjen për varkën tani, misioni ynë ishte përmbyllur në mënyrën më të mirë. Një herë, dy herë dhe motori ndezi. Vazhduam rrugën dhe përshtypje na la tregim,i se dikur motit kur në Manastir vihej këmbë, ishin gurët e nëpër të cilët duhej kaluar dhe ai që nuk dinte se ku të vinte këmbën mbaronte në ujin e liqenit. Duke folur e qeshur mbërritëm tek vetura. Dielli ishte gati në perëndim dhe ne na priste rruga e kthimit për në Ulqin.
Duke u përshëndetur me udhërrëfyesit, u nisëm e meqë nuk kishim ngrënë gjithë ditën vendosëm të ndalemi në restorantin përballë Kalasë së Oso Kukës në Lesendro. Gëzimi ngriti dronin dhe bëri xhirime fantastike. Unë e Samiu ishim nën përshtypjet e pelegrinazhit dhe nuk mundim të besonim se çka na kishte ndodhur atë ditë. Se si ishin hapur rrugët që ishin të mbyllura me shekuj, se si ishin hapur dyert që kishin qenë deri atëherë të kyçura, si ishte shfaqur njeriu që na tregoi rrugën, si kishte mbërritur varkëtari atë mëngjes që me sulin e tij të na dërgoj deri në ishull. Ne dokumentuam dhe bëmë që të verbrit të shohin, të shurdhrit të dëgjojnë. Bëmë një pelegrinazh në varrin e Zonjës Marë Kastrioti, mu në vitin jubilar – 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Shënuam këtë vit dhe pelegrinazhin na e mundësoi shpirti fisnik i hallës Marë, e ne tre nipat e Skënderbeut i çuam të gjithë ngrohtësinë njerëzore dhe ia ngrohëm për një moment pllakën e mermertë në gjysmerrësirën e Manastirit Kom që është shumë afër, por shumë larg atyre që nuk dinë, nuk shohin, nuk dëgjojnë.
Por, jam më se i bindur se aty mund të shkoj vetëm ai i cili e meriton dhe që shpirti fisnik i motrës Marë e lejon. Ajo e di si t’i hapë rrugët, di si të ftojë meritorët dhe unë e di se në vitin jubilar të Skënderbeut me rastin e 600-vjetorit të vdekjes, rruga do jetë e hapur për fëmijët tanë të cilët do shkojnë rrugës së baballarëve dhe do vizitojnë sërisht varrin e Motrës Marë. Ne nipërit tuaj ju kujtojmë, o Skënderbe e motra Marë. I përjetshëm qoftë kujtimi ndaj jush.