Vardari fiton në Çair, Shkupi zhgënjen para tifozëve të vet

Me derbin e zjarrtë mes Shkupit dhe Vardarit është hapur java e 30-të në Ligën e Parë të Maqedonisë, një përballje me shumë histori dhe rivalitet, por që këtë herë përfundoi me fitore të pastër 0-2 për mysafirët, njofton Telegrafi.
Vardari tregoi efikasitet dhe qetësi në momente kyçe të ndeshjes, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e fundit të pjesës së parë me golin e Mato-s, i cili përfitoi nga gabimi i portierit Denkovski. Në pjesën e dytë, ishte kroati Matiç ai që realizoi edhe golin e dytë për të vulosur triumfin e “kuqezinjve” në një derbi që u ndoq nga shumë tifozë në tribuna.
Atmosfera në stadiumin e Çairit ishte e zjarrtë, me tifozët e Shkupit “Shvercerat” që kishin përgatitur koreografi dhe mbështetje të fuqishme për skuadrën e tyre, por në fund u larguan të zhgënjyer nga loja dhe rezultati. Kjo ishte një tjetër humbje e hidhur për Shkupin, që këtë sezon po përjeton një formë të paqëndrueshme dhe vazhdon të mbetet në mesin e tabelës pa objektiva.
Ndërkohë, fitorja e sotme e mban Vardarin në pozitën e gjashtë në renditje dhe duke i dhënë moral skuadrës për sfidat e mbetura të sezonit. /Telegrafi/


















































