Vardari – Besa hapin sot javën e 21-të, nesër duele interesante

Kampionati i Ligës së Parë të Futbollit në Maqedoninë e Veriut vazhdon me ndeshjet e javës së 21-të, ku ekipet do të zbresin në fushë për të luftuar për pikë të rëndësishme në rrugën drejt objektivave të tyre, njofton Telegrafi.
Java hapet me përballjen mes Vardarit dhe Besës, ku dy skuadrat kërkojnë pikë që të fillojnë largimin nga zona e rrezikut.
Të dielën Shkëndija pret Tikveshin në Tetovë, në një duel ku "kuqezinjtë" synojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive dhe mbajtjen e presionit ndaj kryesuesve.
Një përballje interesante zhvillohet në Kratovë, ku Sileksi sfidon kampionët në fuqi të Struga Trim&Lum, me këta të fundit që tani më kanë edhe trajner të ri. Struga kishte një fillim shumë të dobët në kampionat, por u rikthye me kualifikim në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, ndërsa Sileksi u eliminua në mesjavë nga Vardari.
Gostivari do të kërkojë fitore për të forcuar pozitat në kreun e tabelës, në një duel me një kundërshtar të drejtpërdrejtë, sikurse është Rabotniçki.
Shkupi do të presë Pelisterin në Çair, ku bardhekaltërit janë favoritë për të marrë tre pikët dhe për të vazhduar të jenë të sigurt në mesin e tabelës.
Voska Sport përball AP Brerës do të tentojë të shfrytëzojë epërsinë e fushës nikoqire, për të siguruar pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Java e 21-të premton emocione të forta dhe duele të luftuar në të gjitha fushat e LPFM-së. /Telegrafi/
Java e 21 e LPFM
E shtunë 01.03.2025 ora 14:00
Vardari – Besa
E diel 02.03.2025 ora 14:00
Shkëndija – Tikveshi, Sileksi – Struga TL, Gostivari – Rabotniçki, Shkupi – Pelisteri dhe Voska – Brera









































