Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar se Valon Prebreza do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në një takim të mbajtur me strukturat e kësaj partie në këtë komunë, në prani të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Sekretarit Organizativ Ismajl Kurteshi, deputetit Mirsad Shkreta dhe kryetarit të qendrës lokale, Shpend Bardiqi, u konfirmua kandidatura e  Prebrezës.


Sipas LVV-së, kandidatura e Prebrezës është përgjigje ndaj “katrahurës së madhe” që, sipas tyre, është shkaktuar nga keqqeverisja e deritanishme lokale.

“Frymën e investimeve të Qeverisë Qendrore, të cilat kanë zgjidhur probleme dhjetëra vjeçare për lagjet e fshatrat e Fushë Kosovës, siç është rrjeti i ujësjellësit, do ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal,” thuhet në njoftim.

Kandidaturën e Prebrezës e ka konfirmuar edhe kryeministri në detyre Albin Kurti, përmes një postimi në facebook, i cili vlerëson se kandidati Prebreza është i duhuri për ndryshimin që i duhet Komunës së Fushë Kosovës.

“Valon Prebreza është kandidati i duhur dhe kandidati ynë për ndryshimin që i duhet Fushë Kosovës. Ai ka përkrahjen e aktivistëve, strukturave tona dhe të qytetarëve nga çdo lagje e çdo fshat për fitore”, shkruan Kurti.