Gentian Bici, një qytetar nga Shqipëria, ka ndarë publikisht shqetësimin e tij për mungesën e njohurive të fëmijëve shqiptarë rreth Kosovës.

Përmes një video-incizimi të publikuar në rrjetin social Instagram, ai ka rrëfyer përvojën e tij personale gjatë një vizite në Prizren me familje.


“Ardhja në Prizren është shumë e bukur. Më vjen keq që fëmijët e mi nuk e kishin idenë që këtu flitet shqip,” tha ai në video. Bici tregoi se pasi kaluan kufirin në Kukës, vajza e tij e vogël, që ndjek klasën e tretë, ishte habitur që banorët flisnin shqip. “Babë, po pse flasin shqip këtu?”, ishte reagimi i saj i parë.

Ai shtoi se edhe djali i tij për herë të parë vizitonte Kosovën dhe fillimisht ishte i hutuar, derisa kuptoi se ndodhej në një vend ku gjithashtu flitet shqip dhe ndihen vlerat shqiptare.

Bici apeloi që shkollat në Shqipëri të organizojnë më shumë ekskursione drejt Kosovës, në mënyrë që nxënësit të lidhen më afër me realitetin dhe historinë e përbashkët të dy vendeve.

Duke e përshkruar Prizrenin si një “super qytet” plot gjallëri, ai u shpreh se ky qytet “është për t’u pasur zili nga shumë qytete shqiptare.”

Deklarata e tij ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, me shumë ndjekës që e kanë përkrahur idenë për një ndërlidhje më të fortë kulturore dhe arsimore mes Shqipërisë dhe Kosovës./Telegrafi/