Ura e leshit

“Paria e shehrit të Mustfafë Agës ka për ta ndërtuar urën e rrënuar mbi lumin që ndanë qytetin, jo me dru apo me gurë siç ka qenë dhe është akoma e zakonshme, por po të jetë nevoja edhe vetëm me lesh! Ata njohin vetëm zorin.
Këto fjalë që i kishte thënë Asllan Pasha në takim ma parinë e shehrit të Mustafë Agës qenë përsëritur nga goja në gojë, hiq më pak se njëqind vjet. Pashai, megjithëse ishte përgjegjës edhe për sigurinë e shehrit të Mustafë Agës, kishte kohë që nuk ishte parë atje me ordhinë e tij.
Ura e drurit mbi lumin që ndante qytetin, kishte filluar të kalbej moti, por atë akoma po e shfrytëzonin të gjithë. Për fat të mirë, urën e rrënoi vetë lumi. Kështu siç përfundoi ura, askush nuk mund të fajësohej.
Nuk ishte ai lumë që kalohet lehtë edhe pa urë. Rrënimi i urës i kishte lënë keq të gjithë. Se kush duhej ta ndërtonte urën askush nuk fliste hapur. Pasha me ushtri vinte rrallë andej. Ishte krijuar një pengesë për të cilën nuk kishte menduar askush me vite, derisa urën e drurit e mori lumi. Ata që kishin lira ari, po hezitonin. Ndoshta e ndërton Pashai, mendonin bejlerët e agallarët. Tregtarët nuk i zinte gjumi, mos u shtohen taksat. Në mes të shehrit, tri xhami të reja ishin ndërtuar afër njëra tjetrës për pak kohë. Kishin kaluar pak javë kur vala e ujit e mori me vete urën por akoma askush nuk fliste për ndërtimin e një ure të re, çfarëdo qoftë.
Në anën tjetër, Myftiu i Kazasë, i cili kishte marr lavde deri edhe në vetë kryeqytetin perandorak, akoma nuk kishte hapur gojën të fliste diçka për urën. Kishte kohë që zotërinjtë, bejlerë e agallarë ishin çartur mes veti.
E ndërton Pashai që ç’ke me te, thoshte dikush, por mendja çdo herë i vete të zori. Lajmi kishte arritur të Pashai. Urën mbi lumin në e Shehrin e Mustafë Agës e shfrytëzonin me qindra fshatra, por edhe qytete. Ajo figuronte edhe në defterin e dovletit me rëndësinë e saj. Jo vetëm që kishte filluar të vështirësohet furnizimi i shehrit, por tashmë vështirësitë nga më të ndryshme, kishin filluar të dalin mbi sipërfaqe.
Askush nuk po fliste akoma për rëndësinë e urës. Mbi të gjitha, furnizimi i shehrit ishte rrezikuar. Kishte provuar shehri i Mustafë Agës edhe dënime të rënda nga Asllan Pasha, por rrënimi i urës ishte sprovë më e rëndë. Ndërtimi i urës së re, jo që kushtonte shtrenjtë, por edhe kërkonte kohë goxha të gjatë. Sa herë e kishin meremetuar ndopak urën e drurit, por ajo shkoi sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Sa kohë që nuk kishte reshje, ata të cilëve ju duhej ura, ja dilnin disi, por sapo kishte më shumë reshje, lumi nuk mund të kalohej me asnjë mjet tjetër pa pasoja, qoftë edhe me jetë.
Derisa për tregun e leshit të shehrit të Agaës dinte gjithë Rumelia, por askujt nga paria e qytetit nuk i kishte vajtur mendja sa ka rëndësi ura mbi lumin që ndante qytetin. Reshjet e mëdha nuk i kishte parashikuar askush, aq më pak sa do të zgjasnin ato.
Kishte kohë që paria e shehrit, as nuk flisnin mes tyre.
Të gjithë e dinin se njëfarë pushteti të padukshëm e kishte vetë Myftiu i Kazasë. Rrënimi i urës qiti në lendinë krejt marrëzitë e parisë së shehrit. Vetë fakti se lajmin për rrënimin e urës, Pashait ja sollën tre fshatarë, dëshmonte shumë më tepër se çka po ndodhë atje. Edhe vetë Pashai kishte kaluar dy tri herë mbi atë urë, dhe ja tash duhej ta njoftonte vetë Padishahun.
Asllan Pasha kishte përgjegjësinë për sigurinë e lartë, në të cilën bënte pjesë edhe ura e rrënuar. Ura e shehrit të Mustafë Agës bënte pjesë në kategorinë e dytë të urave me rëndësi të Vilajetit.
Pasi njoftoi padishahun, Asllan Pasha me një ordhi prej tridhjetë ushtarësh kalorës udhëtoi tri ditë e tri net drejt shehrit të Agait.
Pashai hyri në qytet në mbrëmje, duke i zënë në befasi edhe Muftibashin edhe parinë e shehrit.
Të gjithë ata që me vite nuk kishin folur mes veti, dhe kishin bërë gara të pandershme se kush po pasurohet më shumë e kush ka ndërtuar saraje më të bukura, u gjenden të bashkuar pikërisht pas faljes së jacisë bashkë me Myftiun.
Pashai shkoi në xhami vetëm me dy zapti. Ordhinë e la në detyrë.
Pasi ishte vonë, shumicës së qytetarëve nuk iu dha rasti, që së paku një herë në jetën e tyre, të shoh të bashkuar gjithë parinë e shehrit.
S’kishte kush çka të thoshte. Tre fshatarët i kishin treguar Pashait krejt çka po ndodhë.
Derisa Myftiu po synonte të fliste pak, Pashai nuk e la të hapi gojën.
-E di çka po ndodhë këtu, foli Pashai.
-Nuk është rrënuar ura nga uji, por ju e keni rrënuar urën. Ju nuk doni të bashkëpunoni për ndërtimin e urës, prandaj jam unë këtu.
-Së pari e shkarkoj nga detyra Myftiun. Zëvendësimin e tij e bëjnë ata që duhet, tha Pashai. Dënimin e merituar do ta merr shumë shpejt. Nëse këta që po hanë me lugë të arta dhe shëtisin me pajton nëpër hije të zgjedhura, nuk flasin mes tyre me vite, Myftiu është dashur të mendoj moti për urën e plagosur, foli Pashai me rrëmbim.
-Sa kohë ka që nuk e keni parë urën e kalbur dhe ajo pret shiun që të zhdukët?
-Cili nga ju agallarët apo bejlerët ka kaluar i fundit me pajton mbi atë urë? A më shumë ju duhet ura apo xhamitë që po i ndërtoni edhe me inati të njeri tjetrit?
Kokulur me çallma, asnjë nga paria e shehrit nuk e hapi gojën.
-Ua kam dëgjuar edhe këngët që po ua këndojnë rapsodët!-foli Pashai.
Moti janë çartur mes veti edhe paria e shehrit të Mustafë Agës, sikur ata zotërinjtë e Prizrenit e të Shkodrës. Ju i keni dëgjuar ato këngë duke pritur edhe këngën për ju?! Sa të jetë gjallë Asllan Pasha, nuk do të lejoj të këndohet këngë për ju.
-Dënimi i parë për ju është pagesa e të gjitha shpenzimeve për ndërtimin të jo vetëm një ure, por të dy urave. Ju nuk keni paguar moti taksat e shtetit, dhe këtë e keni bërë me vetëdije. Është ky rasti i parë kur Lartmadhëria nuk do paguaj asnjë lirë për një urë të këtyre përmasave, megjithëse deri tash ka ndihmuar kudo.
Nuk do të paguaj, Sulltani, por ju. Për mospërfillje të urdhrave, dënimi më i vogël për secilin prej jush do të jetë internimi i përjetshëm. Shpresoj të mos ketë nevojë për litar.
-Ju ka graduar e zgjedhur lartmadhëria për ti shërbyer dovletit, apo të shëtisni me pajtone e të zgjidhni hijet e burimet e ujit për të fjetur pa ju pickuar mizat e verës? Ashtu siç ju ka graduar sulltani, ashtu edhe do të ju dënojë pa dhembje, duke ua konfiskuar menjëherë edhe gjithë pasurinë që keni krijuar në saje të dovletit.
-Ju moti keni dal nga defteri i taksave dhe atje ankoheni çdo herë sikur lypsa.
Rrënimi i urës ua ka zbuluar fytyrat tuaja që i ndërroni sipas nevojës.
Derisa paria e shehrit nuk po gjente derë për të marrë masa për të ndërtuar sa më parë urën, pasojat që solli rrënimi i urës kishin filluar të duken menjëherë.
Pashai e dinte mirë se çfarë rëndësie ka ura në atë qytet.
Në një çast ai qeshi nga zori. Ha, ha, ha!
Po edhe atë urën e drurit nuk e patët ndërtuar ju, por vetë fshatarët! Ku janë tash ata? Po agallarët e bejlerët ku janë? Ku janë bajraktarët? Pse nuk filloni ta ndërtoni urën menjëherë?
- Aty më nuk do të ndërtohet urë druri të cilën e merr lumi pas çdo shiu, por urë guri me përmasa të duhura.
Cilit prej jush nuk i duhet ura?
Ju keni ndërtuar tri xhami afër njëra tjetrës nga njëzet a tridhjetë metra. Nuk i keni ndërtuar ato xhami për nevoja reale të xhematit, por për inati të njeri tjetrit. Mendoni të leni emër, por emrat tuaj do ti merr shumë shpejt lumi, ashtu si urën. Ta dini se për emrat tuaj, tash e tutje do të vendosë vetë Padishahu.
E dinte vetë Myftibashi, çka kërkon Pashai. E dinin edhe ata që tashmë kishin goxha do tituj të Padishahut.
Dhjetë nga ju kanë pasuri ta ndërtojnë të vetëm atë urë, por nuk mundeni nga salltaneti. Kjo do të jetë ura e parë që nuk do të ndihmohet me fonde të Lartmadhërisë. Kjo nuk do të ndodhë kësaj radhe.
Ju doni zor, prandaj, unë jam këtu. Lutem të mos provoni mos dëgjueshmërinë!
-Jo me gurë e me dru, por me lesh mund ta ndërtoni atë urë.
Emri i shehrit tuaj është bërë i njohur, jo vetëm përtej Vilajetit, por edhe larg gjithë Rumelisë. Dhe është bërë i njohur pikërisht nga Tregu i leshit që gjendet këtu dhe nga puna e fshatarëve që thurin e shesin prodhimet e tyre, prej të cilave ata fitojnë vetëm leshin dhe punën, e ju fitoni dhjetëfish më tepër lira ari.
Sakaq agallarët ndrydheshin e shtrydheshin nga sa lira do të ngarkohen, me tatim, jo me për një urë, por siç tha Pashai, për dy ura.
Të pyeste dikush pse të ndërtohen dy ura, nuk ja mbante as njërit.
I mllefosur nga dembelia që i kishte kapluar bejlerë e agallarë, por edhe vetë Myftiun, Pashai po kalonte natën pa gjumë.
-Ata, të gjithë, pa përjashtim duan zor.!-mendonte Pashai Sa mirë që njoftova edhe Lartmadhërinë. Çdo Bajraktar e njeh fshatin e vet, Çdo katund ka Myftarin e tij. Ata kanë në defterë edhe sa qerre kuajsh ka çdo fshat. Secili e di sa muratorë të mirë ka fshati.
-Jo nga guri apo druri, por edhe nga leshi kanë për të mbaruar urën, foli vemeveti Pashai i vetmuar në Saraj.
-Këta malok presin vetëm zorin. Krejt puna e transportit të lëndëve të drurit do bartet pa pagesë. Krejt gurët e urës do të sillen pa pagesë. Bejlerët do të paguajnë vetëm mjeshtrit dhe muratorët.
Të nesërmen thirri gjithë parinë e shehrit.
Pashai, pasi i shikoi në heshtje i pyeti: Si e me çka po kalojnë lumin? Askush nuk e hapi gojën. Të gjithë heshtnin. Detyrat duhet të kryhen. Për çdo refuzim detyre, pason dënimi me internim të përjetshëm, jo vetëm të individit por të gjithë familjes së tij.
Po të ishte fjala për xhami, do ta ndërtonit sa qel e mbyll sytë nga inati ndaj njeri tjetrit. Bile dikush nga ju edhe është gëzuar që u rrënua ura, sepse xhemati nga ana tjetër e lumit nuk do mund të shkojë për të falur në xhaminë e tjetrit imam në anën tjetër të lumit. Edhe po të mos kishte xhami në anën tjetër të lumit do ta ndërtonit fare lehtë, qoftë nevoja edhe tinëz njeri tjetrit.
Kjo është urë që ju duhet të gjithëve.
Keni për ta ndërtuar urën, qoftë edhe me lesh! – përsëriti për të treten herë këtë shprehje Pashai.
As nuk i pyeti Pashai se çka duhet të bëjnë. Secili iku në detyrën e vet që e njihte mirë.
-Duan zor këta edepsëzë, mërmëriste Pashai, pas çdo fjalie. Pas tri ditësh, lëndët e para të drurit arritën buzë lumit. Secili e dinte punën e vetë. Vargu i qerreve po rritej.
Pas një jave filloi ndërtimi i urës së drurit.
Ura e gurit ishte punë e madhe e shumë serioze. Duheshin hapur themele të thella dhe duhej devijuar edhe rrjedhën e lumit. Duhen gurë të zgjedhur. Këtë e dinë mjeshtrit e gurit.
Ura e drurit përfundoi pas dy javësh. Askush nuk e bëri llaf sa shpejt. Filloi edhe qarkullimi i matur i qerreve. Edhe furnizimi i shehrit nisi të ngjallët.
Gjatë ndërtimit të urës së drurit nuk pati ndonjë hezitim.
Fillimi i ndërtimit të urës së gurit po vononte. Duhej shumë punë. Duheshin dhjetëfish më shumë karrocierë, punëtorë e mjeshtër. Duhej të hapeshin themelet shumë nën ujë. Pa arritur as një çerek i sasisë së gurëve, duhej filluar ndërtimi i urës, në mënyrë që të lirohet hapësira për të sjellë sa më shumë material, dhe që shkarkimi të bëhet sa më afër urës.
Pashai, akoma nuk po caktonte afat për përfundimin e urës së gurit. Volumi i punimeve ishte shtuar aq shumë sa kishte arritur kulmin. Akoma nuk ishte shfaqur ndonjë hezitim.
Një ditë Pashai kishte vizituar urën e drurit që ishte ndërtuar dhe po shfrytëzohej pa masë. Nuk i bëri zë askujt, por në mbrëmje takoi Myftiun.
Nuk kishte askush ide se çka bisedoi me te, por myftiu po shihej përditë andej kah ura. Ai kishte marr vërejtje, që nëse dikush shemb urën e drurit me ndonjë peshë të madhe, Myftiu do të dënohet me varje në litar.
















































