Ujësjellësi, 27 padi për keqpërdoruesit e ujit

Zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal (KUR), “Prishtina”, Arieta Mjeku ka thënë për Telegrafin se kanë rritur kontrollet për keqpërdoruesit e ujit. Sipas saj, po ashtu janë rritur lëndët e dërguara në gjykata për keqpërdoruesit e ujit. Mjeku thotë se janë duke punuar me kapacitete maksimale nga liqeni i Badovcit, dhe afër maksimales nga liqeni i Batllaves.
Arieta Mjeku ka treguar se aktualisht 45 për qind e ujit keqpërdoret. “Humbjet teknike dhe komerciale të ujit sillen rreth 45 për qind, ku prej tyre gjysma është humbje komerciale. Inspekcioni i Komunës së Prishtinës, bashkë me ujësjellësin, janë në teren, ne moment kur është nxjerrë urdhëresa administrative për parandalimin e keqpërdorimeve të ujit, muaj më parë”, tha ajo.
Mjeku thekson se për dy muaj kamë dërguar 27 lëndë në gjykata për keqpërdoruesit e ujit. “Ne si ujësjellës, brenda dy muajve, kemi proceduar në gjykata kompetente në 8 komuna që janë nën menaxhimin tonë rreth 27 lëndë, për vjedhje uji që janë të ndërlidhura kryesisht me: Kyçje jashtë ujëmatësit dhe raste të shkyçjeve për shkak të mospagesës e më pas të rikyçjeve ilegale dhe pa asnjë procedure nga ana e po te njëjtit konsumator qe e kemi shkyçur nga rrjeti me procedurat”, ka treguar zëdhënësja Arieta Mjeku.
Nivelin e ujit në liqenin e Batllavës sot e kemi (-67 cm) nën kuotën maksimale, kurse niveli i ujit në liqenin e Batllavës është (-4.50 m) nën kuotën maksimale që edhe këtu nga kjo javë ka filluar të bjerë, me centimetra. “Ne kemi filluar me orarin e ri të reduktimeve të ujit ku në shumë pjesë i kemi larguar reduktimet gjatë ditës, e në pjesë të tjera i kemi minimizuar ato gjatë ditës, dhe jemi duke punuar duke e zbatuar orarin e reduktimeve me përpikëri, por që nga dita e djeshme është ndjere një rritje e madhe e kërkesave për ujë nga ana e konsumatorëve, qe i bie se uji përveç nevojave shtëpiake është edhe duke u keqpërdorë”, tha Mjeku.
Sipas saj, në disa zona nuk arrin uji, si në lagjja Arbëria, Mati, Tasligje, Veternik, Hajvali dhe Sushicë, për shkak të nevojës për zgjerimin e rrjetave primare të ujësjellësit, ekonomizim i shfrytëzimit të ujit të pijshëm si dhe rritja e banorëve në ato pjesë. /Telegrafi/



















































