UEFA i shqipton dënim të rëndë FFK-së për incidentet në ndeshjen Kosovë-Rumani

UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës për incidentet e shumta gjatë ndeshjes me Rumaninë me shumën prej 61 mijë euro. FFK është gjobitur për shkelje të ndryshme e të shumta gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Hyrja e shikuesve të shumtë në fushë, hedhja e gjësendeve, ndezja e fishekzjarrëve, fishkëllimat gjatë himnit të Rumanisë, bllokimi i rrugëve publike, ishin prej shkeljeve të regjistruara në ndeshjen që Rumania e fitoi 3-0.

Për fishekzjarrë të ndezur, buxheti i FFK-së do të pakësohet për 6 mijë euro. Për shkak të fishkëllimave të tifozëve gjatë intonimit të himnit të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës do të paguaj dënim prej plot 15 mijë euro. Ndërsa për bllokim të rrugëve publike, përkatësisht për qëndrimin e shikuesve në pjesën e tribunave të destinuara për lëvizjen e tyre, FFK-ja do të paguajë 8000 euro.












































