LAJMI I FUNDIT:

UBT shënon me forum e aktivitete vetëdijesuese Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit

UBT shënon me forum e aktivitete vetëdijesuese Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit

Ambienti është faktori kryesor që ndikon në mirëqenien dhe jetesën e qytetarëve, megjithatë Dita Ndërkombëtare e Mjedisit e gjen prapë Kosovën me shumë probleme të pazgjidhura, por që kërkojnë zgjidhje emergjente.

Për t’i diskutuar këto problematika dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me mjedisin, në UBT u mbajt forumi “Ta ruajmë mjedisin nga plastika”, ku morën pjesë ambientalistë, përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe profesorë e studentë të interesuar për gjetjen e zgjidhjeve në ruajtjen e ambientit.

Drejtori për Çështje Akademike në UBT, Valmir Hoxha tha se ambienti është një hapësirë që duhet të ruhet dhe për të cilin duhet të punojë secili njeri. Në këtë aspekt, ai tregoi se studentët e UBT-së kanë filluar të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e gjendjes në Kosovë.

“Këshilli Studentor i UBT-së ka filluar një aksion simbolik për mbledhjen e plastikës në Prishtinë, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit ku jetojmë. Ndërkaq, studentët tanë të Inxhinierisë së Energjisë kanë filluar të punojnë në ndërtimin e një makine që do të shërbejë për riciklimin e mbeturinave dhe që do të ofrojë zgjidhje për mbeturinat me përbërje plastike”, sqaroi Hoxha.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi theksoi çështja e ambientit duhet t’i interesojë secilit, por megjithatë, sipas tij, trendi i ndryshimit është pozitiv.

“Ndryshime po i vërejmë çdo ditë, pasi tek qytetarët e vendit tonë ka filluar të krijohet një kulturë për mbrojtjen e ambientit dhe mbajtjen e pastërtisë edhe në vende publike”, vlerësoi ai.

Zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku vuri në pah nevojën e ruajtjes së ambientit të jashtëm ,por edhe atij të brendshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet ambienti si tërësi, por edhe të ruhet shëndeti i njerëzve.

“Shënimi i kësaj dite nënkupton që duhet të bëjmë më shumë për ambientin edhe në kontekstin e ruajtjes së shëndetit dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes nismave dhe përpjekjeve të koordinuara”, potencoi Millaku.

Këshilltari nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Egzonis Hajdari tha se ministria në të cilin ai është i angazhuar ka ndërmarrë një mori veprimesh për përmirësimin e gjendjes së ambientit dhe për këtë, si model kanë marrë shtetin e Suedisë.

“Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, ministria ka organizuar aktivitetin “Javën e Mjedisit”, me të cilin po dëshmojmë për vullnetin që kemi për përmirësimin e ambientit ku jetojmë sepse ambienti është jeta jonë dhe përmes ruajtjes së tij mund të shprehin dashurinë për vendin tonë”, konstatoi ai.

Në fund u mbajt edhe një debat me pjesëmarrësit, të cilët paraqitën format se si çdo qytetar mund të kontribuojë në ruajtje të ambientit, si dhe paraqitën edhe shqetësimin për mungesën e një programi studimi që merret vetëm me këtë çështje.

Aktiviteti për nder të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit ka vazhduar në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku kjo ditë po shënohet përmes mbjelljes së fidanëve, luleve dhe drurëve dekorativë.

Artikull i sponzorizuar