LAJMI I FUNDIT:

UBT, pjesë e punëtorisë dhe takimit koordinues të CEEPUS-it

UBT, pjesë e punëtorisë dhe takimit koordinues të CEEPUS-it

Një delegacion i UBT-së, i përbërë nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe nga ligjëruesit në UBT, Zhilbert Tafa dhe Artan Salihu, po marrin pjesë në punëtorinë dhe takimin koordinues të rrjetit CEEPUS, të titulluar “Modelimi, Simulimi dhe Dizajnimi kompjuterik në Inxhinieri dhe Menaxhment”.

Takimi është organizuar nga Fakulteti i Telekomunikacionit i Universitetit Teknik të Sofjes, në Bullgari.

Përfaqësuesit e UBT-së, para qindra përfaqësuesve të universiteteve nga i mbarë rajoni, kanë prezantuar dhe shfaqur të arriturat dhe zhvillimet e fundit në UBT, rolin e UBT-së në programet e përbashkëta dhe ecurinë e mënyrën e organizimit të Akademisë Ndërkombëtare Verore të UBT-së.

Një element i rëndësishëm i përmendur prej tyre në këtë takim është edhe mentorimi i përbashkët i studentëve të doktoraturës nga UBT dhe Universiteti i Sofjes për Teknologji, por edhe me universitete të tjera nga Evropa.

Ky organizim ka nisur punimet më 24 qershor dhe të njëjtat do të zgjasin deri më 1 korrik, teksa, përveç UBT-së që po e përfaqëson Kosovën, pjesë e tij janë edhe qindra përfaqësues universitetesh nga shtete të ndryshme evropiane, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Poloninë, Bosnjë e Hercegovinën, Kroacinë, Serbinë e Slloveninë. /Telegrafi/