Në kuadër të Forumit të Parë të Biznesit Kosovë-Portugali, UBT dhe “ISCTE Executive Education” nga Portugalia kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, duke krijuar mundësi të reja në fushën e arsimit, kërkimit dhe trajnimeve. Ky memorandum synon të forcojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin ekzistues kulturor dhe arsimor ndërmjet dy institucioneve.

Në ceremoninë e nënshkrimit, të mbajtur në ambientet e Forumit të Parë të Biznesit Kosovë-Portugali, të pranishëm ishin përfaqësues të lartë nga të dy institucionet, si dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm nga sektori akademik dhe biznesi.


Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga rektori i UBT-së Prof.Dr Edmond Hajrizi dhe drejtori për zgjerimin global në “ISCTE Executive Education” , Rui Vinhas da Silva.

Ky memorandum bashkëpunimi parashikon zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave dhe seminareve shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe ofrimin e programeve të trajnimeve të avancuara. Marrëveshja përfshin gjithashtu mundësinë e krijimit të programeve të përbashkëta të studimeve dhe përfshirjen në rrjete ndërkombëtare të kërkimit dhe inovacionit.

Rektori i UBT-së, Prof.Dr Edmond Hajrizi, shprehu entuziazmin e tij për këtë bashkëpunim, duke theksuar se kjo marrëveshje do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor në UBT, si dhe në zgjerimin e horizonteve për studentët dhe stafin akademik. Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në epokën e globalizimit dhe sfidave komplekse.

Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm përpara në përpjekjet e UBT-së për të forcuar lidhjet e saj ndërkombëtare dhe për të ofruar një arsim cilësor dhe të integruar me standardet globale.

IMG 2110 Medium

IMG 2115 Medium

IMG 2102 Medium

IMG 2046 Medium

IMG 2131 Medium

IMG 2133 Medium 1