Prokurori Beqë Shala i cili u arrestua në tetor të këtij viti, është liruar nga paraburgimi dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, dhe se Shala do të vazhdoj të mbetet në arrest shtëpiak edhe për dy muaj.


Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit B.SH., për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit, Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në këtë çështje penale.

Me datë 26.11.2025, gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar Kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr. 190/25 të datës 20.11.2025, për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.SH., duke iu zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet nga data 26.11.2025 deri më datë 25.01.2026”, ka thënë Gashi.


Ajo ka shtuar se nëse i pandehuri Beqë Shala nuk e respekton këtë Aktvendim, gjykata në pajtim me nenin 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, ndaj të pandehurit do të zëvendësoj masën e arrestit shtëpiak me masën e paraburgimit.

Prokurori Shala ishte arrestuar më 27 tetor të këtij viti në vendin e tij të punës nën dyshimin për marrje ryshfeti, dhe ndaj tij ishte caktuar menjëherë masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Më 6 nëntor, Gjykata e Apelit përmes njoftimit bëri të ditur se e kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndaj vendimit të Themelores për caktim paraburgimit, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Shalës. /Telegrafi/