Nga: Kastriot Dervishi
Unë nuk besoj se Mandela, që e marrin shembull të kohëgjatësisë së vuajtjes së dënimit, do dilte gjallë nga kampet dhe burgjet e regjimit komunist në Shqipëri.
Ne kemi heronjtë tanë dhe nuk kemi nevojë për shembuj ndërkombëtarë.
Prej kohësh kam evidentuar deri tani një mijë të dënuar që kanë vuajtur 15-38 vjet privim lirie. Njëri ndër ta është edhe Kujtim Rustem Aliaj (1940-1995), nga Çorrushi i Mallakastrës i cili vuajti 31 vjet e katër muaj e 15 ditë burgim të pandërprerë.
U arrestua më 28 qershor 1956 në përpjekje për arratisje në sektorin e Kakavijës. U dënua me pesë vjet burgim. U ridënua me 25 vjet në vitin 1958, kur vuante dënimin në kamp-burgun e Punëtorisë së Artizanatit në Tiranë. Tentoi të arratisej nga Reparti nr. 309, Rubik, në vitin 1963, së bashku me Ahmet Manxhar Hoxhën (nga Kolonja e Gjirokastrës, pushkatuar në vitin 1979) dhe Demir Sinan Shkozën (nga Priska e Madhe Tiranë, dënuar me vdekje). U dënua sërish me 25 vjet heqje lirie.
U lirua nga burgimi më 13 nëntor 1987.
Nga disa dëshmi të marra, fotografia bashkëlidhur, në të cilën është Kujtimi në moshën 23 vjeçare, besohet se është bërë në prag të arratisjes së tij në vitin 1963 në Repartin nr. 309 në Rubik, sepse në këtë repart janë bërë nga një fotograf edhe foto të tjera për të dënuarit e reparteve 307 dhe 309, të cilat u janë dhënë të burgosurve (I shpreh mirënjohjen z. Eduart Aranitasi që pati mirësinë të ma dërgojë).