LAJMI I FUNDIT:

Turizmi nuk po e merr veten në Shqipëri, gjatë muajit janar shkuan 64 mijë vizitorë më pak

Turizmi nuk po e merr veten në Shqipëri, gjatë muajit janar shkuan 64 mijë vizitorë më pak

Kufizimi i lëvizjeve për shkak të COVID-19 duket se do ta vështirësojë më tej rikuperimin e turizmit në Shqipëri.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në muajin janar në Shqipëri kanë hyrë 185.3 mijë vizitorë të huaj, rreth 64.1 mijë më pak se e njëjta periudhë e 2020-së. Ndërsa gjithsej së bashku me shtetasit shqiptarë, hyrjet arritën në 405.7 mijë nga 693.9 mijë që ishin në janarin e vitit të kaluar.

Rritjen më të madhe e kanë parë turistët nga Zvicra dhe shqiptarët e Kosovës, pasi numri i këtyre të fundit u rrit me rreth 10 mijë muajin e kaluar në raport me janarin e 2020, duke arritur në 87.6 mijë vizitorë. E gjithë pjesa tjetër ka parë tkurrje të numrit të vizitorëve.


Një situatë pesimiste vjen edhe nga operatorët e tregut.

Për kryetarin e Shoqatës së Tur-Operatorëve, Besnik Vathi viti 2021 do të karakterizohet nga një pranverë e djegur dhe një verë në rrezik pasi nuk ka asnjë kontratë me tur-operatorët e huaj.

“Shqipëria ka vërtetë tre sezone, sezonin e pranverës që edhe në 2021 do të jetë i mbyllur, sezoni i verës që është në rrezik, që edhe sikur çdo situatë optimiste të ketë, realizimi i kësaj vere nuk mund të bëhet më shumë se 60 për qind me ata turistë të planifikuar. Dëshirë që nuk është konkretizuar me kontrata apo rezervime reale”, shprehet Vathi.

Sipas tij, për shkak të mungesës së turistëve të huaj pjesa më e madhe e agjencive turistike kanë pezulluar punën, duke mos arkëtuar që prej marsit të kaluar.

“Rreth 80 për qind e këtyre bizneseve ose janë pezulluar ose punojnë thjesht pa arkëtuar por duke mbajtur stafin për të mos humbur ato investime të bëra prej 15-20 vitesh. Janë me dhjetëra e dhjetëra biznese që nuk kanë aktivitet. Ne asgjë sot nuk na shpëton. Ne i kemi humbur rreth 80 për qind të punonjësve”, tha ai.

Por, vendosja e masave bllokuese ka penguar edhe daljen jashtë të shqiptarëve duke sjellë gati një përgjysmim të tyre në 271.6 mijë në janar nga 531 mijë që kaluan kufijtë të njëjtën periudhë të 2020-së. /TCH/