Nga: Jeremy Warner / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kush ka nevojë për spektakël televiziv, kur për argëtim kemi psikodramën e Shtëpisë së Bardhë të Donald Trumpit? Sa i përket zhvillimeve të befasishme, prishja e marrëdhënieve mes Elon Muskut dhe Trumpit ishte ndoshta e pritshme, por shpejtësia, ashpërsia dhe tensioni i këtij “divorci” kanë qenë tejet intrigues.


Edhe skenaristët më të mirë të Holivudit do ta kishin të vështirë të shkruanin një skenar më të mirë. Era e tradhtisë ndihet në ajër - një tragjedi e vërtetë e hakmarrjes.

Megjithatë, nën të gjitha këto qëndron një çështje shumë më serioze sesa pamja e dy prej njerëzve më të pasur dhe më të fuqishëm të botës teksa ndahen dhe shkëmbejnë fyerje.

Dhe, është një çështje që prek pothuajse të gjitha ekonomitë e mëdha me të ardhura të larta. Ngadalë, por sigurt - dhe me ritme të ndryshme - që të gjitha po falimentojnë. E, megjithatë, pak prej tyre duken se janë në gjendje ta kuptojnë këtë, e lëre më të bëjnë diçka për ta ndrequr.

Askush më shumë sesa Shtetet e Bashkuara, ku Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerësoi javën e kaluar se “projektligji i madh dhe i bukur” i Trumpit do t’i shtojë edhe 2.4 trilionë dollarë [2.1 trilionë euro] borxhit kombëtar deri në vitin 2034.

Le të mos marrim anë, por Musku kishte plotësisht të drejtë kur e përshkroi projektligjin si “një neveri të tmerrshme”. Ai takson shumë pak dhe shpenzon shumë tepër. Është e vështirë të imagjinohet një copëz më e papërgjegjshme fantazie.

Musk e kishte mbështetur Trumpin jo vetëm për interesa personale - më shumë kontrata qeveritare, mbrojtje për mandatin e automjeteve elektrike, lavdi personale e të tjera - por, sepse me të vërtetë besonte se mund të ndihmonte në ndalimin e falimentimit të ShBA-së.

Kjo ka rezultuar në një mendjemadhësi monumentale. Kursimet prej dy trilionë dollarësh në shpenzimet federale që ai kishte premtuar fillimisht, janë kthyer në maksimumi 200 miliardë dollarë dhe ndoshta dukshëm më pak kur llogariten kontabiliteti i dyfishtë dhe dëshirat e pabazuara.

Në çdo rast, krahasuar me shpenzimet totale federale të vitit të kaluar prej gati shtatë trilionë dollarësh, kjo është vetëm një pikë në oqean dhe vetëm tregon se sa e vështirë është të gjesh kursime serioze në administratën qeveritare - edhe kur ke dorë të lirë mbi numrin e punonjësve.

Korrupsioni i përhapur dhe paaftësia që Departamenti për efikasitetin qeveritar [Doge] i Muskut priste të gjente në Uashington dhe në makinerinë më të gjerë shtetërore, rezultoi kryesisht si iluzion dhe shumë nga shkurtimet që ai ka arritur të bëjë duket se kanë shkaktuar më shumë dëm sesa dobi.

Kjo nuk do të thotë se nuk ia vlen të provohet, apo se nuk mund të bëhen shërbimet publike më efikase. Por, kjo kërkon kohë, investime fillestare të konsiderueshme dhe kursimet zakonisht nuk janë aq të mëdha sa pritej.

Për askënd nuk ishte ndonjë befasi e madhe që aftësitë e nevojshme për të drejtuar me sukses një biznes nuk transferohen lehtësisht në sektorin publik, ku nuk ekzistojnë disiplinat e bilancit financiar, motivi i fitimit dhe tregjet konkurruese.

E turpshme është që Musku i cili ndërtoi Tesla-n dhe SpaceX-in si dy nga kompanitë më të suksesshme në botë, gjatë një periudhe prej pothuajse prej dy dekadave, ka qenë pothuajse krejtësisht i munguar gjatë katër apo pesë muajve të fundit sa ka qenë te Doge.

Në vend të tij kemi parë një Musk të pamatur, me një sharrë elektrike në dorë - dhe nëse duhet besuar shtypin amerikan, i nxitur nga droga - i cili, si ish-shefi i tij Donald Trump, duket se e sheh qeverisjen më shumë si një art performues sesa si një shërbim publik.

Të gjithë mund të tregojmë me gisht një mori shembujsh të shpërdorimit në sektorin publik, të vendimeve të pashpjegueshme për shpenzime dhe të burokracisë që ngulfat çdo gjë, por kursimet e imagjinuara nga adresimi i këtyre problemeve pothuajse gjithmonë dalin të jenë një iluzion.

Në Britani, partia Reform UK e Nigel Farageit pretendon se mund të kursehen shtatë miliardë paundë duke hequr shpenzimet e sektorit publik për programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI). Fatkeqësisht, një kursim i tillë nuk ekziston.

Shifrat e fundit të qeverisë treguan se shërbimi civil shpenzoi vetëm 27 milionë paundë për masat DEI gjatë vitit 2022-2023. Kjo mund të jetë edhe 27 milionë shumë, por nuk do ta zgjidhë krizën e borxhit të Britanisë.

Dy zërat më të mëdhenj që “përvëlojnë” buxhetet e shteteve të ekonomive të avancuara janë pagat në sektorin publik dhe mirëqenia sociale, dhe të dyja kanë nevojë urgjente për reformim nëse demokracitë perëndimore duan ndonjëherë të dalin nga borxhi i tyre i stërmadh.

Musk ka dështuar plotësisht në detyrën e parë, dhe kjo nuk është për t’u habitur. Lloji i automatizimit dhe dixhitalizimit që përmirëson produktivitetin dhe që është i përhapur në sektorin privat për të ruajtur konkurrueshmërinë, është një maratonë, jo një garë shpejtësie, ndërsa kërkon saktësi në planifikim dhe zbatim.

Asnjë nga këto cilësi nuk ishin të dukshme te “vëllezërit teknologjikë” të dërguar për të trajtuar përmasat e fryra të shtetit amerikan. Qasja e tyre ishte “prerje dhe djegie”, në vend të rindërtimit të ngadaltë dhe metodik të qeverisë që është i nevojshëm për kursime të qëndrueshme dhe përmirësim të produktivitetit.

Për më tepër, Trumpi tregon pak ose aspak interes për reformë domethënëse të programeve të ndihmës sociale.

Në rregull, po bëhet një përpjekje për të shkurtuar shpenzimet që po rriten me shpejtësi për Medicaid-in, por është një përpjekje e vakët dhe në të vërtetë ekziston vetëm si një gjest për të qetësuar konservatorët fiskalë mes republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Thelbi i çështjes është se Trump është po krijesë e ekonomisë së fantazisë sa çdokush tjetër.

Ai dëshiron si taksa të ulëta, ashtu edhe shpenzime të larta, dhe pret që rritja ekonomike të mbulojë diferencën. Është i njëjti iluzion si ai i Liz Trussit, vetëm se shumë më i rrezikshëm në refuzimin e dukshëm të ortodoksive fiskale.

Ndryshe nga Britania, Amerika është zemra e sistemit financiar global, dhe nëse tregjet e borxhit të ShBA-së rrëzohen, do t’i tërheqin poshtë të gjithë të tjerët.

Këtu në Britani, Rachel Reeves, kancelarja e Thesarit, po ashtu nuk tregon ndonjë shenjë serioze se po merret me përbindëshin e shpenzimeve publike, ndërkohë që po përgatit detajet përfundimtare të analizës të shpenzimeve që do të prezantohet të mërkurën e ardhshme.

Kostot e pagave në sektorin publik po rriten, nuk po bien, dhe megjithëse ministrat flasin për reformën e sistemit të mirëqenies, qasja e tyre ndaj kësaj çështjeje nuk është më bindëse se ajo e Trumpit. Është thjesht një rregullim sipërfaqësor.

Vetëm kthimi i përfitimeve për personat në moshë pune në nivelin e tyre para pandemisë, do të kursente 49 miliardë paundë në vit - më shumë se mjaftueshëm për të shmangur rritjet e taksave dhe për të financuar rritjen e dëshiruar të shpenzimeve për mbrojtjen në tre për qind të PBB-së, siç thekson Jeremy Hunt, pararendësi konservator i Reevesit si kancelar.

Vetëm shpenzimet për përfitimet e aftësisë së kufizuar janë rritur nga 37 miliardë paundë pak para pandemisë në 56 miliardë tani - shumë më tepër se në çdo ekonomi tjetër të krahasueshme - me pjesën më të madhe të rritjes që vjen nga çrregullimet e shëndetit mendor.

Megjithatë, Reeves e harxhoi pothuajse të gjithë kapitalin politik duke hequr ndihmën për ngrohjen gjatë dimrit, për të gjithë, përveç pensionistëve më të varfër - një masë që kursen vetëm 1.5 miliardë paundë në vit. Kjo e ka lënë atë me pothuajse asnjë hapësirë për reforma më serioze të të drejtave sociale.

Si në ShBA ashtu edhe në Britani, ulja e shpenzimeve shtetërore në përmasat e duhura thjesht nuk po ndodh në shkallën e nevojshme për të frenuar rritjen e borxhit.

Përpjekjet e Muskut për të vendosur një vijë të kuqe kanë përfunduar me përçarje dhe akuza. Askush nuk mund të thotë me saktësi kur do të shpërthejë stuhia, por dështimi i Muskut e sjell më afër momentin e ballafaqimit përfundimtar. /Telegrafi/