Prokurorët federal kanë një audio regjistrim të ish-presidentit amerikan Donald Trump duke pranuar se ka mbajtur një dokument të fshehtë të Pentagonit për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, raportoi CNN.
CNN nuk e dëgjoi audio regjistrimin, por tha se disa burime të paidentifikuara e përshkruan atë. Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte raportin, transmeton Telegrafi.
Në audio-inçizim është bërë e qartë që Trump, i cili po kërkon nominimin republikan për 2024, e kuptoi se kishte marrë materiale të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, sipas një raporti të CNN
Komentet e Trump sugjerojnë se ai do të dëshironte të ndajë informacione, por është i vetëdijshëm për kufijtë se çfarë mund të deklasifikojë pasi të largohet nga detyra, thanë dy burime për CNN.
Një përfaqësues i Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Peter Carr, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Special të Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, gjithashtu nuk kishte asnjë koment.
Smith heton trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump, si dhe përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, kur ai humbi ndaj Joe Biden. /Telegrafi/