Trump thotë se Rusia 'pothuajse nuk fitoi asnjë territor' në ofensivën e fundit në Ukrainë, pavarësisht kostove të mëdha

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu edhe një herë zhgënjimin e tij me udhëheqësin rus Vladimir Putin për vazhdimin e një lufte të pakuptimtë, duke theksuar se është koha që Rusia të ndalet.
Ai i bëri këto komente në një takim me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë të martën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Unë kam zgjidhur, siç e dini, shtatë luftëra […] dhe mendova se kjo [lufta e Rusisë kundër Ukrainës] do të ishte ndër më të lehtat për t'u zgjidhur. Por jam shumë i zhgënjyer me Putinin", ka thënë Trump.
Ai shtoi se pavarësisht humbjeve masive të Rusisë dhe fitimeve minimale në fushën e betejës, Putin vazhdon të zhvillojë luftë.
“Me të gjitha bombardimet e rënda gjatë dy javëve të fundit, ata nuk kanë fituar pothuajse asnjë territor”, tha Trump, duke folur për operacionet e fundit ofensive të Rusisë në Ukrainë.
"Nuk do ta quaj kurrë askënd 'tigër letre', por Rusia shpenzoi miliona e miliona dollarë për bomba, raketa, municione dhe jetë, jetët e tyre, dhe ata praktikisht nuk kanë fituar asnjë territor".
Në të njëjtën kohë, Trump e ka lavdëruar vazhdimisht Erdoganin gjatë takimit dhe ka thënë se udhëheqësi turk mund të ketë “ndikim të madh” në luftë, pasi ai respektohet si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina.
Pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Nju Jork në fillim të kësaj jave, Trump tha se duke pasur parasysh situatën aktuale të Rusisë, Ukraina është e aftë të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara nga shteti agresor. /Telegrafi/














































