Në studim kanë marrë pjesë disa punëtorë me tension të lartë të gjakut të cilët janë vëzhguar pothuajse 18 vjet
Stresi në punë, gjumi i keq dhe tensioni i lartë i gjakut – mund të jenë recetë për vdekje të hershme, lajmërojnë hulumtuesit gjermanë, transmeton Telegrafi.
Në studim kanë marrë pjesë disa punëtorë me tension të lartë të gjakut të cilët janë vëzhguar pothuajse 18 vjet, ndërkaq ata të cilët kanë deklaruar që kanë punë stresuese dhe gjumë të keq tri herë kanë pasur probabilitet më të madh që të vdesin nga sëmundjet e zemrës se ata të cilët kanë bërë gjumë të mirë dhe të cilët nuk kanë pasur probleme në punë, kanë zbuluar hulumtuesit.
Madje 50 për qind e të rriturve kanë shtypje të lartë të gjakut. Ky është faktor i rrezikut për sulm në zemër, sulm në tru, ndërprerje të zemrës, sëmundje të veshkave dhe vdekje të hershme kardiovaskulare.
“Studime të shumta kanë zbuluar lidhshmërinë e stresit të shtuar në punë dhe rrezikut të mëvonshëm nga sëmundjet kardiovaskulare. Çrregullimi i gjumit gjithashtu është i lidhur me rrezikun e shtuar”, thotë dr. Gregg Fonarow, profesor i kardiologjisë.
Në studimin e ri hulumtuesit kanë arritur në konkluzionin që mes personave me hipertension, ata të cilët kanë pasur stres në punë kanë pasur dyfish rrezik më të madh nga vdekja nga sëmundjet kardiovaskulare, si edhe ata të cilët kanë deklaruar që kanë vetëm gjumë të keq.
Sipas hulumtuesit kryesor, dr. Karl Hajnc Ludwig, gjumi do të duhej të ishte koha për pushim dhe përtëritje të energjisë. Nëse keni stres në punë, gjumi ju ndihmon që të këndelleni.
“Fatkeqësisht, gjumi i keq dhe stresi në punë shpesh shkojnë njëri pas tjetrit, ndërkaq në kombinim me hipertensionin, efektet janë edhe më fatale”, ka shtuar dr. Ludwig. /Telegrafi/