Trendi i çuditshëm i modës po pushton rrugët: Ku është kufiri?

Pjesët me gishta të hapur po e lënë sallën e ushtrimeve dhe po zhvendosen në rrugë, ku ikonat e modës i kthejnë në një aksesor të dëshiruar
Çorapet për pilates po përjetojnë momentin e tyre pesë-minutësh të famës, por në një mënyrë krejtësisht të papritur, dhe shumë shpejt do të na pushtojnë rrugët dhe dyqanet. Të ngjashme me ngrohëset e këmbëve, këto çorape me gishta të hapur janë trendi më i ri i modës dhe sjellin një qasje të freskët ndaj stilizimit.
Trendi që vë në pikëpyetje vetë përkufizimin e çorapes
Ky trend po e vë në diskutim vetë përkufizimin e fjalës “çorape”. Pa thembër e pa gishta, shtrohet pyetja – a është vërtet çorape? Ku të vendoset kufiri midis çorapes, ngrohëses së këmbës dhe pajisjeve sportive për stërvitje? Meqenëse mënyrat krijuese të stilizimit po e përmbytin rrjetin dhe pasarelat, është e qartë se ky artikull veshjeje, ose çfarëdo që të jetë, sapo ka përjetuar një ribrandim të plotë, shkruan Hypebae, përcjell Telegrafi.
Nga baleti te bejsbolli
Shfaqja e kësaj siluete në modën “mainstream” lidhet me obsesionin aktual për stilin sportiv super-femëror. Estetika e frymëzuar nga baleti, joga dhe pilatesi me bluzat e buta që mbivendosen dhe shtresimet delikate, po del nga sallat e stërvitjes dhe po hyn në rrugët urbane, ku veshjet sportive po shndërrohen në shprehje mode.
Kur kësaj i shtohet vala e nostalgjisë për vitet 2000, që ende dominon industrinë, bëhet e kuptueshme pse çorapet e pilatesit janë hapi i radhës në evolucionin e këtij trendi. Megjithatë, pamja nuk kufizohet vetëm në pilates, frymëzimi vjen edhe nga uniformat tradicionale të bejsbollit, që dikur përfshinin modele me rrip nën shputë dhe hark të hapur.

E parë në pasarelat e modës
Dizajnerët, natyrisht, e kanë vënë re potencialin e këtij detaji. Trendi u pa për herë të parë në vitin 2024, në sfilatën pranverë/verë 2025 të Miu Miu, ku çorapet gri sportive me rrip u kombinuan me sandale me taka dhe funde midi. Që atëherë, ato janë shfaqur në fushatat e markave të pavarura si Fruity Booty dhe Peachy Den nga Londra, por edhe në profilin e modeles dhe influencueses Iris Lou, e cila i ka integruar me mjeshtëri në kombinimet e saj eklektike.
Së fundmi, për sezonin pranverë/verë 2026, versioni me rrjetë është parë në skenën e markës Paloma Wool në Paris. Njëkohësisht, marka e specializuar për çorape pilatesi Paralía ka zgjedhur një qasje krejtësisht të modës në marketingun e saj – duke i stilizuar me sete të qëndisura dhe taka.
Këto çorape u prezantuan edhe në Javën e Modës në Nju Jork, në bashkëpunim me dizajnerin Christian Cowan.
Përshtatet në mënyrë të përkryer me trendet ekzistuese
Ky trend përputhet në mënyrë të përkryer me obsesionin e botës së modës për këpucët minimaliste. Nga modelet Vibram Five-Fingers te pafund versionet e japankave, dëshira për të zbuluar shputat është e dukshme. Çorapet e pilatesit tani ofrojnë hallkën që mungonte, një mënyrë për të veshur këpucë me gishta të hapur edhe gjatë muajve të ftohtë, pa hequr dorë nga stilet e preferuara verore.
Me rikthimin e estetikës së viteve 2010 dhe fascinimin e përgjithshëm me ndërthurjen e modës dhe funksionalitetit, ky trend ka kuptim të plotë. Stili shumëfunksional athleisure po rikthehet fuqishëm, duke kujtuar epokën e American Apparel.
Moda e thjeshtësisë, vala e nostalgjisë apo ndikimi i Addison Rae, çfarëdo qoftë arsyeja, bota e modës është gati. /Telegrafi/

















































