Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda – Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Të dyshuarit me inicialet A.F. dhe G.M., nga Autoshkolla “STOP”, si dhe M.TH., nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Fushë Kosovë, janë ndaluar për 48 orë, ndërsa e dyshuara A.A., nga e njëjta degë e Kryqit të Kuq, është liruar në procedurë të rregullt.


Ky veprim është realizuar në bashkëpunim me hetuesit policorë të Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK, në vazhdimësi të një rasti ku më herët ishin arrestuar një instruktor i autoshkollës dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për parandalimin e këtyre veprave dhe për sjelljen para drejtësisë të personave të dyshuar. /Telegrafi/