Katër persona janë arrestuar pasi i kapën duke transportuar 11 kilogramë kanabis, me qëllim që t’i shesin.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale, të DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi proaktiv, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune hetimore tremujore, ka organizuar dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Carry on”.


“Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit: J. M, 27 vjeç dhe J. M., 35 vjeç të dy banues në Tropojë; Gj. H., 28 vjeç dhe O. I., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në rrugën ‘Bill Klinton’, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip ‘Benz’, në të cilin gjatë kontrollit, në bagazh, janë gjetur dhe sekuestruar 2 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 11 kg”, thuhet në postim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në postim lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 5 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/