Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në një takim kurtuazie ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Sh.T. Laszlo Istvan Dux, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë për zgjerimin e tij në fusha të ndryshme.

Totaj ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka njoftuar ambasadorin hungarez me veçoritë dhe vlerat që e bëjnë Prizrenin një qytet unik.


“Fillimisht e njoftova ambasadorin për karakteristikat e veçanta të Prizrenit dhe elementet që e bëjnë qytetin tonë unik, duke vlerësuar njëkohësisht bashkëpunimin e deritanishëm me Ambasadën Hungareze”, ka shkruar Totaj.

Sipas tij, në takim janë shqyrtuar edhe mundësitë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe institucioneve hungareze.

“Gjithashtu, shqyrtuam mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, sidomos në fushat e ekonomisë, turizmit dhe kulturës”, ka theksuar kryetari i Prizrenit.

Totaj ka vlerësuar takimin si të frytshëm, duke theksuar rëndësinë e forcimit të partneriteteve ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të qytetit. /Telegrafi/