LAJMI I FUNDIT:

Tiranë, vdes nëna bashkë me foshnjën në gjinekologji

Tiranë, vdes nëna bashkë me foshnjën në gjinekologji

Një 35-vjeçare në muajin e nëntë të shtatzënisë ndërroi jetë së bashku me foshnjën e saj. Gruaja me inicialet A.Ç nga Paskuqani, kishte shkuar dje në mbrëmje në maternitet për të lindur.

Pas ngjarjes së rëndë, familjarët kanë lëshuar akuza të forta në adresë të mjekëve. Sipas tyre, ajo nuk mori kujdesin e nevojshëm, ndaj edhe humbi jetën.

Kunati i gruas që ndërroi jetë, akuzoi mjekët e këtij materniteti për neglizhencë totale në trajtimin e saj.


Gruaja që humbi jetën kishte dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë dhe priste edhe këtë vajzë. Ata thonë se bashkëshorti i gruas jeton në Itali dhe është nisur pas lajmit që mori.

“Unë e mora kunatën gjallë drejt maternitetit, t’u çoja dy fëmijëve të tjerë një bebe në shtëpi, e jo të mos i ktheja më as nënën”- tha kunati.

“Erdhëm nga ora 09.30 pasi ajo pati komplikime, e sollëm me urgjencë për 10 minuta ishte në gjendej të rënduar. E zbresim nga makina, shkojmë në urgjencë, urgjenca ishte e mbyllur me kyc, pritëm 20 minuta për t’u hapur urgjenca, e hapi infermierja, nuk kishte as stol ku të ulej, po e mbanim nga krahët, ajo ishte me të vjella.

Ajo mori mjeken dhe e sinjalizoi, vjen mjekja dhe një mjek pas gjysmë ore tjetër. E futën brenda, pasi e pyetën se ku i dhemb e nxorën jashtë, thanë është për në QSUT, jo për ne. Pa i bërë asnjë lloj analize e përcollën.

Në QSUT i doli gjithçka në rregull, ata na thanë mos ka të ftohur, e nisëm në Sanatorium, atje doli prapë e pastër, nuk kishte probleme. Nga Sanatorium prapë në maternitet, aty mbërritëm në orën 02:00 me ambulancë, me oksigjen.

Këtu ndenjëm me ambulancë me dyer të hapura, sepse nuk kishte barelë, njerëz që ta merrnin dhe as oksigjen, e për ta marrë oksigjenin duheshin 20 minuta. E futën brenda, pas dy orëve ka ardhur kirurgu.

E futën në operacion, na thanë që foshnja ka vdekur të shpëtojmë të madhen, tani. Nuk di çfarë i bënë, por në fund doli e vdekur”. /Telegrafi/