Thirrje e hapur për trajnim dhe mentorim në agrobiznes në rajonin e Ferizajt

Organizata Kosova – Women 4 Women (K-W4W), në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, dhe me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) përmes GIZ Kosova, ka shpallur thirrje publike për trajnim dhe mentorim në fushën e agrobiznesit për persona të papunë nga grupet e cenueshme në rajonin e Ferizajt.
Kjo nismë ka për qëllim përkrahjen e grave, të rinjve, anëtarëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, banorëve të zonave rurale si dhe personave të rikthyer nga shtetet perëndimore, të cilët kanë dëshirë të nisin ose zhvillojnë një ide në sektorin e agrobiznesit.
Sipas njoftimit të organizatës, përparësi do t’u jepet aplikantëve që janë të regjistruar si të papunë në Zyrën e Punësimit, por aplikimi mbetet i hapur edhe për personat që ende nuk janë të regjistruar, me kusht që ta bëjnë këtë gjatë ose pas përfundimit të trajnimit për të marrë certifikatën përfundimtare.
Programi përfshin një trajnim interaktiv pesëditor me temën “Si të filloni dhe menaxhoni një agrobiznes”, si dhe një periudhë mentorimi individual tre-mujor për pjesëmarrësit pas përfundimit të trajnimit.
Afati i fundit për aplikim është 31 tetor 2025, në ora 16:00.
Aplikimi mund të bëhet online përmes formularit në këtë link
ose fizikisht në zyrat e punësimit në komunat Ferizaj, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit dhe Shtërpcë. /Telegrafi/


















































