Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se qëndrimi i disa shteteve anëtare po i jep Serbisë hapësirë për veprime destruktive.
Në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Thaçi theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm.
“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi,” deklaroi ai.
Thaçi gjithashtu kritikoi pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke thënë se kjo situatë po e motivon Serbinë të sillet në mënyrë armiqësore ndaj vendit.
“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën,” theksoi Thaçi.
Ai aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.









































