Thaçi mbështet kërkesën e Qeverisë për hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dhënë mbështetje kërkesës së kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, për një hetim ndërkombëtar për rastin e grupit “Kumanova”.
Sipas Thaçit, një hetim ndërkombëtar do ta ndriçonte të vërtetën e plotë, mbi të cilën do të vendoste drejtësia.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dalë me një deklaratë për media në lidhje me dënimin e Grupit të Kumanovës nga Gjykata e Shkupit.
Haradinaj theksoi se ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirr në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.
“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/





















































