Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

Dy persona janë arrestuar pasi kanë tentuar ta rrembejnë një 17 vjeçar në Pogradec e më pas e kanë rrahur dhe e kanë therë me thikë.
Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
“Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.
“Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



















































