Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.J - person përgjegjës i personit juridik, dhe “E.I.”Sh.P.K. – person juridik, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. 

Në njoftimin për media thuhet se sipas aktakuzës, nga data 05.04.2024 dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2024, në Prizren në rrugën “Adnan Krasniqi”, i  pandehuri I.J.,- si person përgjegjës i personit juridik dhe “E.I.” Sh.P.K– person juridik, veprojnë në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.


“...Në atë mënyrë që në ngastrat kadastrale në Prizren, gjatë zhvillimit të punimeve kanë filluar ndërtimin e aneksit (shtim ndërtimi) të bazës së ‘penthouse’ mbi bazën e katit të shtatë (VII) të objektit për banim kolektiv me lokale afariste, duke tejkaluar projektin kryesor të aprovuar me leje ndërtimi, përkundër faktit se Inspektorati i urdhëron që të ndërpriten punimet”, thuhet në njoftim.

Të njëjtit vazhdojnë me realizimin e punimeve edhe pas ndërprerjes duke bërë betonimin e aneks pllakës së ‘penthouse’, mbi pllakën e aneksit të ‘penthouse’ betonohen dy shtylla dhe trau.

Në njoftim tutje thuhet se të pandehurit e lartcekur, në mënyrë të kundërligjshme heqin shiritat e ngjitur nga zyrtari i autorizuar- Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të cilët i kishin vendosur për ndalimin e punëve ndërtimore në ‘penthouse’, duke vazhduar me punët ndërtimore në objekt.

“Me këto veprime, të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprat penale ‘Punimet ndërtimore të kundërligjshme’ dhe ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave’ sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet tutje. /Telegrafi/