Ky ligj i përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL) pritet të miratohet nga Parlamenti, mirëpo ai ka shkaktuar debate të ekspertëve, për shkak se ai mund të shkaktojë rritjen e tensioneve etnike në vend, pasi që me këtë ligj tentohet kontrolli dhe qasja e plotë ndaj mediave, raportoi INA

Me këtë ligj të gjitha televizionet shqiptare lokale dhe ato nacionale duhet që të përkthejnë dhe të titrojnë programet e tyre në tërësi në gjuhën maqedonase.


Këshilli për Radiodifuzion bëri të ditur se ky vendim i ri nuk mund të realizohet dhe se mund të ketë pasoja politike.

“Vështirë është të detyrosh mediat me vendim ligjor të bëjnë këtë, për shkak se është proces i shtrenjtë. Unë jam i bindur se mediat shqiptare do të reagojnë ndaj këtyre rregullave ligjore, për shkak se nuk mund të realizohen ato edhe në planin praktik”, theksoi kryetari i Këshillit, Zoran Stefanovski.

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë se me këtë ligj, pushteti synon të ketë kontroll të plotë ndaj politikave dhe përmbajtjeve të mediave elektronike dhe se të aplikojë dënime të larta në rast të çdo emetimi të programeve që janë në kundërshtim me politikat dhe interesat shtetërore. /Telegrafi/