LAJMI I FUNDIT:

Tejetej kufijve, Dritëro i përndritur

Tejetej kufijve, Dritëro i përndritur

Ai iku më 3 shkurt 2017, duke na lënë shumë vepra monumentale që dritësojnë udhën dhe kujtesën tonë…

Ilir Shaqiri

DRITËRO


Të kërkoj në rafte librash,
zbrit ta pimë një gotë,
o devollit gurgullimash
poet magjiplotë.
Zbrit të flasim pak
për arat me grurë,
për hallet e mëdha
që s’na u hoqën kurrë.
Kur thurje vargje
e këngë për Kosovën,
për një gur,
një plis a një frëngji,
për token e babës,
thoshe, do lë kokën
andej nga burojnë
Drini i Bardhë e i Zi.
Si plori i parmendës
dritëmendja jote
në kopshtin shkëmbor
plugoi poezi
dhe s’ta luajti gurin
lakmia e kësaj bote
deshe krejt çfarë deshe –
deshe një Shqipëri.
Tejetej kufijve
t’u shfaq dritësia
sikur buka n’sofër
për fisin buzëtharë,
të pështyu e të shau
ngado marrëzia,
por buzëqeshja jote
mbeti rrezelarë
në sofrën e zemrës
na grish të pandarë,
se fjala shqipe,
jo,
s’blihet në pazar!
Mbi brazdat e kohëve
të ndrit poezia
Dritëro i përndritur –
Dritëro Shqipëria!

/Telegrafi/