Të vdekur, të zhdukur dhe mijëra të evakuuar – ndërsa një zjarr masiv ‘shkrumbon’ një zonë më të madhe se Parisi

Një grua e moshuar ka vdekur dhe një person tjetër është zhdukur pas një zjarri masiv që përfshiu pjesë të Francës jugore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar mijëra njerëz të largohen.
Gruaja vdiq në shtëpinë e saj, shtatë zjarrfikës janë trajtuar gjithashtu për thithje tymi dhe një person është ende i zhdukur, thanë autoritetet.
Dy persona janë në spital, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Flaka shpërtheu të martën pranë fshatit La Ribaute në rajonin Aude dhe ka djegur tashmë më shumë se 13,000 hektarë (50 milje katrorë) - një zonë më e madhe se Parisi - duke e bërë atë zjarrin më të madh në Francë këtë vit.
Më shumë se 1,800 zjarrfikës, të mbështetur nga 500 automjete, u dërguan në zonë.
Fshatrat kryesore të prekura janë Lagrasse, Fabrezan, Tournissan, Coustouge dhe Saint-Laurent-de-la-Cabrerisse.
Zyrtarët thonë se zjarri po përparon me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta, bimësia e thatë dhe moti i nxehtë i verës.
Jacques Piraud, kryebashkiaku i fshatit Jonquières, ku u dogjën të paktën katër shtëpi, i tha gazetës Le Monde se rreth 80% e fshatit ishte djegur.
"Kjo është një katastrofë me përmasa të papara", tha zëdhënësi i zjarrfikësve Eric Brocardi për radion RTL.
Siç bëhet e ditur më tej, të paktën 25 shtëpi janë shkatërruar dhe më shumë se 2,500 familje janë pa energji elektrike.
Autoritetet kanë mbyllur rrugët në të gjithë rajonin dhe paralajmëruan se është ende shumë e rrezikshme për banorët që ikën të martën në mbrëmje për t'u kthyer në shtëpi.
Presidenti Emmanuel Macron shprehu mbështetjen e tij për zjarrfikësit dhe zyrtarët lokalë në X, duke thënë se të gjitha burimet qeveritare po mobilizohen.
Ai u bëri thirrje banorëve të ndjekin urdhrat e evakuimit dhe të tregojnë "kujdes maksimal". /Telegrafi/


































