LAJMI I FUNDIT:

Të jetuarit sipas drejtave të njeriut

Të jetuarit sipas drejtave të njeriut

Më lejoni ta filloj këtë artikull me një citat të Shulamith Koenig, themeluese e “People’s Movement for Human Rights Learning” dhe nismëtare e projektit të Qytetit për të Drejtat e Njeriut, e cila thotë: “Nga skllavërimi në liri… Kurrë më nuk do ta këmbejmë barazinë tonë me mbijetesë”!

Liria shkon bashkë me përgjegjësinë. Nëse dëshirojmë të jemi të lirë, duhet pranuar edhe përgjegjësinë. Liria nënkupton barazinë dhe paqen. Në Kosovë kemi paqe, për të cilën u përkujdes populli i Kosovës, miqtë e paqes në Evrope dhe SHBA. Paqen në Kosovë e konsiderojmë të brishtë, të ndjeshme, jo të qëndrueshme etj. Paqja dhe siguria varen nga edukimi. Këtu nënkuptohet edukimi i lidershipit, rinisë, punëtoreve etj. Do shërbehem me një citat të vjetër i cili thotë se: “Nuk do të ketë paqe në vend derisa atë e udhëheqin të paditurit ose përderisa ata që udhëheqin mos të bëhen të ditur” (thënie e vjetër filozofike).

Edukimi do të ndihmojë të ndryshojmë qëndrimet tona nga e kaluara. Për më tepër, jemi të bindur se Mësimi për të Drejtat e Njeriut (Human Rights Learning) si koncept aktiv i të mësuarit për të drejtat e njeriut do ndihmojë që Evropa Juglindore si tërësi dhe Kosova në veçanti të shndërrohet në vend të sigurt për të jetuar.


PDHRE ka përgatitur versionin e shkurtër të Deklaratës Universalë për të Drejtat e Njeriut (DUDNj). Gjerë në fund të vitit PDHRE dhe partnerët e sajë do të shtypin dhe distribuojnë mbi një miliard kopje në mbarë botën. Në Kosovë, Qendra Kosovare për të Drejtat e Njeriut (QKDNj) ka përkthyer/përshtatur në gjuhën shqipe Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut. 10 mijë kopje janë shtypur e gjerë në fund të vitit do shtypen dhe shpërndahen një milion kopje. Do të përkujdesemi që çdo nxënës, punëtor, pensionist, grua, burrë dhe fëmijë ta pranojë nga një kopje të DUDNj. Me rëndësi është që çdo qenie njerëzore “të mësojë dhe kuptojë që është pronar i të drejtave të njeriut”. Vetëm kështu secili njeri mund të përkujdeset për vetveten dhe të mbrojë të drejtat e njeriut kur ato i cenohen atij.

Ky shekull shënon kalimin e të menduarit nga ai institucional në të menduarit në rrjet. Të menduarit institucional dhe ai në rrjet dallojnë. Të menduarit institucional është i mbyllur, selektiv dhe i kontrolluar, derisa ai në rrjet është i hapur, i zakonshëm dhe përkrahës. Kjo bën të nënkuptojmë se edukimi dhe integrimi në rrjetë është më se i nevojshëm për Kosovën. Për të gjeneruar ide të reja inovative, kërkohet kontribut nga njerëzit me bindje të ndryshme (diversitet mendimesh). Nëse rrethi ynë shoqëror mbetet i vogël, ose nëse çdokush në këtë rreth fillon të mendoj në mënyrë të njëjtë, ne ndalojmë të gjenerojmë ide të reja, ndalojmë të integrohemi në Evrope dhe harrojmë gjerat elementare, të rëndësishme dhe domethënëse për vendin tonë, komunitetin, familjen dhe veten tonë.

Andaj, për të mundësuar pjesëmarrjen sa ma të gjerë dhe të llojllojshme dhe përmirësuar pozitën konkurruese të institucionit dhe ngritjen e nivelit të diturisë, krijimi i vlerave nënkupton ndryshimin e qëndrimit nga ruajtja e dijes vetanake në fuqizimin e bashkëpunimit, brenda dhe jashtë kufijve institucional.

Edukimi është nocion i gjerë, andaj sot para jush do të fokusohem më shumë në mësimin për të Drejtat e Njeriut dhe konceptin e ri për paqe në komunitet, projekt i rëndësishëm dhe vizionar i “People’s Movement for Human Rights Learning”!

Kjo do të jetë lëvizja dhe arritja më e madhe në histori, me qëllim të sigurimit që çdo grua, burrë, nxënës, punëtor, pensionist, i ri apo fëmijë të mësoj dhe përvetësojë realizimin e të drejtave të njeriut si mënyrë e jetës. Duke i njohur dhe përvetësuar të drejtat e njeriut si mënyrë e jetës, njerëzit do të participojne të barabartë në vendimet të cilat e përkufizojnë jetën e tyre dhe ndihmojnë ndërtimin e një komuniteti të vyeshëm, forcojnë familjen dhe shpëtojnë veten nga varfëria dhe injoranca. Ne nuk mund të ndërtojmë demokraci të vërtetë dhe nuk mund të sfidojmë status quon pa njohuri themelore për të drejtat e njeriut, njohuri tё cilat do mundësojnë që çdo qenie njerëzore të ndihet e lirë dhe me dinjitet në bashkësi me të tjerët.

Për transformim social dhe ekonomik të të gjitha niveleve të shoqërisë dhe për të tejkaluar dezintegrimin social dhe ekonomik në mbarë botën, ne duhet të promovojmë, organizojmë dhe implementojmë mësimin mbi të drejtat e njeriut në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ne nuk kemi opsioni tjetër, dhe për të qenë alegorik: të drejtat e njeriut janë si muret e lumit, nëpër të cilin jeta rrjedh lirshëm dhe kur rrezikohemi nga vërshimi, dituria për të drejtat e njeriut i ndihmon njerëzit për të forcuar muret e lumit dhe mbrojtur nga dëmet.

Në mbare botë, PDHRE ka shpallur qytete për të Drejtat të Njeriut. Do i numërojmë disa:

• Rosario, Argentina
• Nagpur, India
• Alexandria, Egypt
• Graz, Austria
• Edmonton, Canada
• Washington DC,
• Mogale, South Africa
• Porto Alegre, Brazil
• Bihac, Bosnia

Në fund, do të ishte mirë që ne Kosovarët të konsiderojmë të shpallim një qytet për të drejtat e njeriut. Për më tepër shpallja e vendit tonë shtet për të drejtat e njeriut do të nënkuptonte që Kosova të bëhej shteti i parë i shpallur në botë për të drejtat e njeriut. Shpresoj ky propozim të has në përkrahje të gjerë. Ne, në PDHRE jemi të gatshëm të përkrahim këtë iniciativë dhe Kosovën në rrugën e saj demokratike.