Të gjithë i patën sytë te Kombëtarja A, por edhe Kosova U21 luajti një ndeshje të shkëlqyer ndaj Spanjës dhe humbi vetëm në fund

Vëmendja e të gjithëve ka qenë në Prishtinë, ku Kombëtarja A e Kosovës zhvilloi finalen e Play-Off për Kampionatin Botërorë ndaj Turqisë dhe humbi 0-1.
Por mbrëmë ka zhvilluar ndeshje edhe Kombëtarja U21 e Kosovës, e cila drejtohet nga legjenda Hekuran Kryeziu dhe u mposht nga Spanja me rezultat 2-0.
Përkundër humbjes në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, Dardanët e rinj zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe të diciplinuar.
Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu e kishte përgatitur ndeshjen në mënyrë shumë të mirë, me Dardanët që u mbrojtën mirë dhe patën edhe dy mundësi shënimi, sidomos në pjesën e parë me sulmuesin Hekuran Berisha që gjuajti plogësht.

Por një gabim në mbrojtje në minutën e 71-të, bëri që ylli i Realit, Gonzalo Garcia të shënoj golin e parë nga afërsia për 1-0.
Krejt në fund të ndeshjes, kur Kosova po kërkonte golin e barazimit, në minutën e 94-të shënoi Pablo Garcia për rezultatin përfundimtar 2-0.
Te Spanja titullar ishin yje të mëdha si Marc Bernal i Barcelonës, Gonzalo Garica i Real Madrid, Valle i Comos, Mayenda i Sunderland, Lopez i Celta Vigos, Martin i Real Sociedad e yje të tjerë të cilët thuajse të gjithë luajnë titullarë te skuadrat e tyre në top pesë ligat e mëdha evropiane.
Kosova deri në fund të kampanjës kualifikuese ka edhe tre ndeshje ndaj Finlandës, Qipros dhe San Marinos, derisa pas shtatë ndeshjeve ka tetë pikë të grumbulluara dhe ndodhet në pozitën e katërt, pas Spanjës, Finlandës dhe Rumanisë.

Realisht është një grup shumë i vështirë, por që Kosova U21 ka bërë mirë dhe deri në fund të kampanjës kualifikuese mund të bëjnë edhe më mirë pasi janë edhe tre ndeshje për t'u luajtur.
Futbollistët më të dalluar në këtë sfidë ishin dyshja e Prishtinës, Dren Zeqiri dhe Arjol Bllaca, por edhe Erion Sadriu i Ferizajt dhe portieri Laurent Sheji që bëri disa pritje shumë të mira.
Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu ka një grup të mirë të futbollistëve, përkundër që janë ende të rinj, por që janë shumë premtues sidomos për kualifikueset e ardhshme. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com




















































